Populsitët evropianë ndjehen të riforcuar pas dështimit të referendumit kushtetues në Itali, por dështimi i kandidatit të djathtë, Norbert Hofer në zgjedhjet presidenciale austriake, përshëndetur nga kampi pro-BE, ka penguar ambiciet e tyre.
Mes urimeve të shkëmbyera nga drejtuesit e këtyre partive, të tjerë kanë kundërshtuar, ashtu si kryeministri francez, Manuel Valls, që mendon se populizmi nuk është një fatalitet për Evropën. Ai paraqet si provë dështimin e Partisë së Lirisë, për të fituar presidencën austriake.
Drejtuesit e këtij formacioni i shtynë ambiciet e tyre në zgjedhjet legjislative, parashikuar në vitin 2018 në Austri. Ky është gjithashtu objektivi i Lëvizjes 5 Yjet dhe Ligës së Veriut në Itali që shpresojnë të kapitalizohen mbi dështimin e referendumit kushtetues.
Lideri i tyre ka kërkuar një shpërndarje të Parlamentit pas dorëheqjes së kryeministrit italian, Matteo Renzi.
Në Holandë, lideri i ekstremit të djathtë, Geert Wilders, në krye të sondazheve për zgjedhjet legjislative parashikuar në muajin mars, ka përshëndetur në rrjetin social Twitter Italinë dhe kreun e Ligës së Veriut, Matteo Salvini. “Ne do të fitojmë më 15 mars. Do t’i vendosim gjërat në vendin e duhur”, premtoi ai.
“Italianët kanë mohuar BE-në dhe Renzin”, përshëndeti në një mesazh në Twitter, Marine Le Pen, drejtuesja e Frontit Kombëtar, që sipas sondazheve është siguruar të marrë pjesë në turin e dytë të zgjedhjeve presidenciale franceze në pranverë.
Në Britaninë e Madhe, e përditshmja euroskeptike “Daily Mail” përshëndeti një “Italexit” dhe një “revoltë të re kundër klasës politike” duke uruar ardhjen e mundshme në pushtet të populistëve që dëshirojnë daljen e vendit nga euro.
Kreu i diplomacisë gjermane, Frank-Walter Steinmeier pranoi sot se rezultati i referendumit italian nuk ishte një mesazh pozitiv për Evropën në kohëra të vështira.
Ai përshëndeti gjithashtu përfundimin e zgjedhjeve presidenciale austriake, që regjistruan fitoren e ekologjistit pro-evropian, Alexander Van der Bellen përballë kandidatit të Partisë së Lirisë (FPÖ) Norbert Hofer.
“Zgjedhja e Donald Trump dhe Brexit-i kanë ndryshuar drejtimin në Austri”, theksoi analisti i grupit të reflektimit “Carnegie”.
“Ideja për një dalje të mundshme nga Bashkimi Evropian ka rritur frikën dhe ka çuar në zgjedhjen e një kandidati jashtë sistemit, por tradicional dhe shumë pro-evropian”, shtoi ai.