Kushti themelor për një menaxhim të mirë të kompanive është inflacioni i ulët. Nëse nuk ka një gjë të tillë, niveli i kamatës nuk luan rol të rëndësishëm, andaj bankat qendrore me rritjen e kamatës realisht e marrin parasysh ekonominë reale, thotë ish-ministri i Financave Nikolla Popovski, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Popovski për “Triling” theksoi se sa i përket projeksioneve për inflacionin, askush në kuadrin global nuk mund të parashikonte një rritje kaq të lartë, edhe pse parashikohej një përshpejtim.
Ai përkujtoi se Banka Popullore e RMV-së ka paraqitur dy skenarë për media, ku më pesimisti i referohej inflacionit më të lartë se 10 për qind.
“Kur u bë në prill, ishte vetëm një muaj e gjysmë pas shpërthimit të luftës dhe fillimit të inflacionit në botë, inflacioni më i lartë dhe gjërat dukeshin se në tremujorin e tretë dhe të katërt inflacioni do të fillonte të zvogëlohej, këtë e kanë parashikuar edhe të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe private e shtetërore, që nga FMN, Banka Botërore, Bashkimi Evropian, madje edhe agjencitë më të mëdha në botë dhe bankat më të mëdha që kanë departamentet e tyre. Pra, askush nuk mendonte se do të shkonte në këtë nivel”, tha Popovski.
Sa i përket pritjeve për stabilizim të çmimeve, Popovski pret që kjo të ndodhë në vitin 2023.
“Çmimet nga viti 2022 janë të larta, ndërsa në vitin 2023 nuk do të vazhdojnë të rriten as për naftën, për produktet ushqimore bazë, për metalet bazë, që do të thotë se do të qetësohet inflacioni, por nuk duhet ta pranojmë këtë si lehtësim”, thotë Popovski dhe shton se duhet marrë masa, sepse inflacioni i lartë nuk i bën dobi askujt/Telegrafi/