Ministri i jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Poposki, ka reaguar ndaj shkrimeve të mediave në lidhje me deklaratën e eurodeputetit Eduard Kukan, i cili ka thënë që Poposki ka deklaruar se nuk ka shkelje kushtetuese nëse deputetët votojnë një qeveri, pa mandatin e Ivanovit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Poposki konsideron se deklarata është nxjerrë nga konteksti. Ai thotë që eurodeputetit Kukan i ka thënë që dalja nga kriza politike bëhet përmes aspekteve formale dhe thelbësore.
Poposki konteston mediat në aspektin formal të sqarimit të tij për eurodeputetin Kukan. Sipas tij, Kukan është njoftuar se mandati mund të kërkohet në rrugë institucionale, pra përmes kuvendit, ku shumica mund të zgjedhë kryetar të kuvendit që do të vërtetonte shumicën parlamentare. Pastaj, përmes kryetarit të kuvendit mund të kërkohet mandati për formimin e qeverisë nga kryetari i shtetit./Telegrafi/