Ponte Prizreni ka regjistruar fitore (101-74) në ndeshjen e zhvilluar si mysafir i Lipjanit, e vlefshme për pjesën e dytë të sezonit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Prizrenasit e nisën më mirë takimin që në çerekun e parë të sfidës, të cilën e fituan me katër pikë epërsi (17:21).
Loja e mirë e tyre vazhdoi edhe në dhjetëminutëshin e dytë (20:29) për ta ngritur më shumë epërsinë para se të shkonin në pushim.
Lipjani u përpoq të kthehej në çerekun e tretë mirëpo nuk ia doli, pasi shënoi vetëm 20 pikë kundrejt 21 pikëve të kundërshtarit.
Ndërsa në fraksionin e fundit, Ponte u tregua skuadër shumë më bindëse duke i shënuar 30 pikë, derisa Lipjani vetëm 17.
Kjo është fitorja e gjashtë e Ponte Prizrenit këtë edicion, ndërsa i ka regjistruar edhe nëntë humbje dhe mban vendin e pestë në tabelë.
Për Lipjanin ishte humbja e 13-të, kurse i ka regjistruar vetëm dy fitore dhe mban vendin e shtatë në tabelë. /Telegrafi/