Telegrafi

Pompeo, pas takimit me Vuçiqin: Normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi forcon stabilitetin në Ballkan

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se normalizimi i raporteve të Serbisë me Kosovën, do ta forcojë stabilitetin dhe prosperitetin e Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe komunitetit transatlantik.

Pompeo këto komente i bëri pas një takimi në Nju Jork me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Një takim dreke produktiv me presidentin Vuçiq, rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe pranimit të Serbisë në BE. Normalizimi i raporteve me Kosovën, do të forcojë stabilitetin e Serbisë, të Ballkanit Perëndimor dhe komunitetit transatlantik”, ka shkruar pas takimit sekretari Pompeo në Twitter.

Presidenti i Serbisë, Alekandar Vuçiq tha se gjatë takimit, sekretari Pompeo dëshironte të dëgjonte se çfarë mendon, para së gjithash, Serbia për zgjidhjen e problemit të Kosovës.

Ai tha se ka kërkuar që “SHBA-ja të ndikojë edhe më fuqishëm te shqiptarët e Kosovës për të hequr taksën ndaj mallrave serbe”.

“Unë i kam kërkuar administratës amerikane që të përpiqet – edhe pse ka bërë deri më tani – të ndikojë më fuqishëm te shqiptarët e Kosovës për të hequr tarifat e vendosura ndaj nesh, një vit më parë, dhe në lidhje me këtë nuk ka dyshim se kemi mbështetjen e SHBA-së, sepse ata, si dhe ne, e konsiderojmë të rëndësishme të vazhdojmë dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës”, ka shkruar Vuçiq në llogarinë tij në Instagram, rporton REL.

Takimi ndërmjet presidentit Vuçiq dhe sekretarit Pompeo bëhet në kohën kur Shtetet e Bashkuara po bëjnë thirrje për arritjen sa më parë të një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo, bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian janë ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar, për shkak të tarifës ndaj mallrave serbe të cilën e ka vendosur Qeveria e Kosovës.

Masa, sipas zyrtarëve në Prishtinë, është ndërmarrë për shkak të fushatës kundër shtetësisë së Kosovës, që e kanë zhvilluar zyrtarët serbë.