Telegrafi

Pompeo në minutën e fundit anuloi vizitën në Bruksel: Evropianët refuzojnë të takohen me amerikanin

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Mike Pompeo anuloi në minutën e fundit vizitën në Evropë, pasi Ministri i Punëve të Jashtme të Luksemburgut dhe zyrtarët më të lartë të BE-së refuzuan të takohen me të.

Kjo u njoftua nga agjencia reuters, duke iu referuar diplomatëve evropianë dhe personave të tjerë të brendshëm.

Një “shuplakë” e tillë iu dha Uashingtonit pasi mijëra mbështetës të presidentit në largim, Donald Trump pushtuan Kongresin amerikan. Sulmi i paparë ndaj demokracisë amerikane hidhëroi shumë udhëheqës botërorë dhe aleatë të SHBA-së.

Pompeo, aleati i ngushtë i Trump, synonte të takohej me Jean Asselborn në Luksemburg, përpara se të takohej me udhëheqësit e BE-së dhe kryediplomatin e bllokut në Bruksel, thanë tre persona të njohur me planet.

Sidoqoftë, vizita e Pompeos në Bruksel nuk përfshiu ndonjë takim ose ngjarje publike në selinë e NATO-s. Një burim i tretë diplomatik tha se aleatët do të ndiheshin “të turpëruar” nëse do të takoheshin me Pompeon pas dhunës në Uashington.

Reuters shkruan se Ministria e Punëve të Jashtme të Luksemburgut konfirmoi se vizita e planifikuar më parë ishte anuluar, por nuk dha më shumë detaje. BE nuk pranoi të komentojë.

Pompeo duhej të darkonte privatisht me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në Bruksel nesër në mbrëmje, pasuar nga një takim me Ministrin e Jashtëm belg, Sophie Wilmes. /Telegrafi/
.