Parlamenti polak së shpejti do ta ratifikojë protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Kjo është konfirmuar në takimin e sotëm mes kryeministrit Zoran Zaev dhe zëvendës kryetarit të Parlamentit të Republikës së Polonisë, Rishard Terleçki.
Siç njoftojnë nga qeveria, në takim u konstatua se Republika e Maqedonisë së Veriut është e gatshme të bëjë përparim edhe në integrimet evropiane, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Aspirata e jonë është që në Samitin në qershor, në BE, pas statusit 14-vjeçar të kandidatit, të marrim datë për fillim të negociatave me BE-në. Shpresojmë se përkrahja e vazhdueshme e vendit tonë, nga miku i ynë i madh Republika e Polonisë, do të konfirmohet edhe në qershor, ndërsa ne punojmë në argumentet që ta meritojmë këtë përkrahje”, tha kryeministri Zaev.
Në takim u bisedua edhe për mundësitë e hapura për avancimin e bashkëpunimit në sferën e mbrojtjes, në planin ekonomik, në sferën e turizmit, kulturës dhe bashkëpunimit parlamentar, për të cilin shkak në vend qëndron një delegacion parlamentar nga Polonia.
Kryeministri Zaev dërgoi ftesë për vizitë zyrtare të kryeministrit të Republikës së Polonisë, Mateush Moravecki./Telegrafi/