Arritja e trupave amerikanë në Poloni është përshëndetur nga liderët dhe qytetarët e atjeshëm.
Ky veprim ka ndodhur si pjesë e vendosjes së forcave të NATO-s pranë kufirit me Rusinë, me ç’rast afro 3.500 ushtarë amerikanë janë vendosur në kuadër të rotacioneve të NATO-s, në pjesën lindore të Evropës, për t’i siguruar aleatët pas lëvizjeve të Rusisë kundër Ukrainës.
Kryeministrja polake, Beata Szydlo, ka deklaruar se kjo ishte një ditë e rëndësishme që do të ndihmojë në sigurinë në atë rajon.
“Kjo është ditë e rëndësishme për Poloninë, për Evropën, për mbrojtjen tonë të përbashkët”, është shprehur ajo në ceremoninë e mbajtur në qytetin Zagan.
Nga ana tjetër, ministri polak i Mbrojtjes, Antoni Macierewicz, mendon se ushtarët do të ndihmojnë për arritjen e lirisë, pavarësisë dhe paqes në Evropë dhe në gjithë botën.
Theksojmë se Rusia ka qenë kritike për vendosjen e trupave që po bëhet si reagim ndaj aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë (në mars të vitit 2014) dhe mbështetjen e Moskës për separatistët në pjesën lindore të Ukrainës. /Telegrafi/