Ligjvënësit polakë kanë votuar në favor të një projektligji që e bën më të lehtë për shërbimet e sigurisë përdorimin e armëve kundër emigrantëve në kufirin me Bjellorusi, legjislacion ky që ka mbështetjen e publikut, por që kritikët thonë se shkel të drejtat e njeriut.
Debati vendos qeverinë pro-BE të kryeministrit Donald Tusk kundër aktivistëve që kishin shpresuar se ai do të braktiste qasjen e mëparshme nacionaliste të administratës ndaj krizës së emigrantëve në kufirin lindor të bllokut.
Bëhet e ditur se Polonia është përballur me atë që ajo thotë se është një formë e luftës hibride në kufi që nga viti 2021, kur një numër i madh emigrantësh filluan të përpiqeshin të kalonin ilegalisht.
Si Varshava ashtu edhe BE-ja thonë se Bjellorusia dhe aleati i saj Rusia kanë orkestruar krizën me emigrantë, gjë që Moska e mohon, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Siç raportohet, projektligji do të lejojë shërbimet e sigurisë të përdorin forcën duke përfshirë armë zjarri në kufi në situata të caktuara emergjente.
Ministri i Brendshëm, Tomasz Siemoniak, tha se do të dërgonte “një sinjal të qartë mbështetjeje për njerëzit me uniformë që luftojnë agresionin në kufi”.
Ndryshe, një studim i IBRIS për Rzeczpospolita tregon se rreth 86% e polakëve mendojnë se ushtarët duhet të jenë në gjendje të përdorin armë për të zmbrapsur emigrantët që përdorin forcën.
Megjithatë, aktivistët u shprehën të zhgënjyer.
“Unë besoj se qeveria ka hyrë në këpucët e paraardhësve të saj sepse ishte më e përshtatshme”, tha Marcin Wolny, avokat nga Fondacioni i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se një ligj i tillë mund të shkelë të drejtat e njeriut. /Telegrafi/