Polonia do të blejë 250 tanke amerikane të tipit Abrams, që është versioni më i ri i tyre – në kuadër të një marrëveshje të vlefshme prej rreth gjashtë miliardë dollarë, ka bërë të ditur të hënën ministri polak i Mbrojtjes, Mariush Blashqak.
“Polonia do të blejë 250 tanke Abrams. Natyrisht se është një përgjigje ndaj sfidave me të cilat po ballafaqohemi në rrafshin e sigurisë ndërkombëtare. Detyra jonë është t’i kundërpërgjigjemi agresorit. Të gjithë e dimë se ku gjendet ai agresor”, ka thënë Blashqak gjatë një konference për media, transmeton Telegrafi.
Sikurse vendet tjera të Evropës Lindore, Poloninë po e brengosë çdo herë e më shumë prezenca ushtarake e Rusisë, e cila në vitin 2014 aneksoi Krimenë nga Ukraina.
Ministri polak precizoi që në pakon prej gjashtë miliardë dollarëve do të përfshihen edhe logjistika dhe trajnimet, mirëmbajtja dhe modernizimi i infrastrukturës si dhe municioni.
Sa i përket tankut amerikan Abrams, ministri shpjegoi se bëhet fjalë për tanket e blinduara të versionit M1A2 SEPv3.
Në anën tjetër, Pentagoni gjatë gushtit të vitit të kaluar ka konfirmuar dërgimin e një numri shtesë së ushtarëve në Poloni, ku do t’i bashkohen 4.500 ushtarëve tjerë amerikanë që ishin shpërndarë në kuadër të NATO-s nëpër Evropë. /Telegrafi/