Site icon Telegrafi

Polonia akuzon Putinin për krizën e emigrantëve në kufi me Bjellorusinë

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, ka akuzuar presidentin rus Vladimir Putin se qëndron pas krizës së emigrantëve në kufirin e Bjellorusisë me Poloninë.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, Morawiecki tha se udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, një aleat i ngushtë i Putinit po orkestron krizën, “por e ka ‘bazën’ në Moskë”.

Të paktën 2000 emigrantë janë bllokuar në kufi në kushte të ftohta.

Udhëheqësi i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, mohon pretendimet se po dërgon njerëz përtej kufirit në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e BE-së.

Pamjet e shpërndara gjerësisht tregojnë turma njerëzish në anën bjelloruse të një gardhi kufitar me tela dhe me gjemba me Poloninë.

Disa u përpoqën të kalojnë me forcë duke përdorur trungje pemësh dhe forcë në grup, derisa rojet polake i shmangin me atë që duket të jetë gaz lotsjellës.

Shumë nga emigrantët janë të rinj, por ka edhe gra dhe fëmijë, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Azia. /Telegrafi/

Exit mobile version