Site icon Telegrafi

Pollogu në hall me mbeturinat ndërtimore

Ilustrim

Banorët e Reçicës së Vogël ankohen se situata me vërshimet e vitit 2015 mund të përsëritet edhe tani, pasi hedhja e mbeturinave të forta në kthesën për në fshatin Rasadishte vazhdon edhe më tej.

Rajoni i Pollogut vazhdon edhe më tej të mos ketë deponi për mbetjet e forta apo materialet ndërtimore. Pikërisht këto materiale që ishin hedhur në kthesën e fshatit Rasadishtë, për në Kodrën e Diellit, ishin kthyer në tmerr gjatë vërshimeve të gushtit të vitit 2015. Të gjitha këto materiale që ishin hedhur atje, sërish uji i kishte sjellë në Reçicë të Vogël, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale në këtë lagje të Tetovës e që ndodhet poshtë fshatit Rasadishtë, shkruan gazeta KOHA. Gjatë asaj periudhe, për zgjidhjen e problemit premtime kishin dhënë Ministra e Mjedisit, kryeministra dhe pushteti lokal, por edhe tre vite më pas, ende nuk ka asnjë lëvizje.

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, kishte deklaruar ditë më parë se kjo çështje do të fillojë të trajtohet pas përfundimit të deponisë regjionale Rusino. I paqartë ka qenë edhe deklarimi i ministrit të Ekologjisë, i cili ka theksuar se deponi të këtilla do të duhet të ndërtohen në bazë të Planit nacional për trajtimin e mbeturinave, por pa përgjigje nëse ka një plan edhe për Tetovën. Në Komunë theksojnë se zgjidhje më e mirë është që të ketë një deponi të përbashkët për të gjithë komunat, ku do të hidheshin mbeturinat e materialeve ndërtimore.

Nga ana tjetër, shumica e Komunave të Pollogut nuk kanë deponi të veçanta për hedhjen e mbeturinave nga materialet ndërtimore. Madje, lokacion të veçantë nuk ka as Komuna e Tetovës. Nga ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë thonë se janë në hall me këtë dukuri, sepse materialet ndërtimore hidhen në vendet tek mbeturinat e zakonshme dhe më këtë, po dëmtohen kontejnerët, por edhe haset në vështirësi gjatë transportit.

Banorët e Reçicës së Vogël ankohen se situata me vërshimet e vitit 2015 mund të përsëritet edhe tani, pasi hedhja e mbeturinave të forta në kthesën për në fshatin Rasadishte vazhdon edhe më tej.

“Të gjitha ndërtimet që janë bërë në Tetovë, materialet nga prishjet e objekteve dhe që kanë ngelur nga ndërtimet, janë hedhur tek kthesa për në fshatin Rasadishtë dhe vërshimet e fundit na sollën të gjitha ato mbeturina këtu në rrugë dhe në shtëpitë tona. Është dashur që institucionet kompetente të parandalojnë këtë dukuri, pra përgjegjësi kanë edhe qytetarët edhe institucionet”, thonë banorë të Reçicës.

Aktualisht, për shkak të mungesës së një deponie për mbetje të forta, qytetarët gjatë ndërtimeve që kryejnë nëpër pronat e tyre, materialet i nxjerrin pranë kontejnerëve. Në shumë pika grumbullimi të mbeturinave në qytet mund të shihen mbeturina amvisërie dhe materiale të forta. Krahas kësaj, tashmë disa vite është krijuar edhe shprehi që mbeturinat e këtilla të hidhen edhe në vende periferike, si në afërsi të varrezave myslimane, në afërsi të lumit Shkumbin në pjesën më të lartë, afër varrezave ortodokse në lagjen Kolltuk dhe në përgjatë rrugës Tetovë-Falishtë./koha.mk/

Exit mobile version