Site icon Telegrafi

Politikës serbo-centriste të BE-së i ka ardhur fundi

Reinhard Bütikofer

Fakti që njerëzit në BE janë të shqetësuar për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, mund të shihet nga kush po merret aktualisht me rajonin. Në margjinat e Samitit Evropian (EUCO) në fund të tetorit, presidenti i Këshillit, Michel, presidenti Macron, kancelari Scholz dhe kryeministrja Meloni të shoqëruar nga përfaqësuesi i lartë Borrell dhe emisari Lajèák, u takuan gjithashtu me presidentin serb dhe kryeministrin kosovar. Menjëherë pas kësaj, presidentja e Komisionit Von der Leyen po udhëton për në Ballkanin Perëndimor.

Kjo është përpjekje e madhe po të mendosh se sa kriza kërkojnë vëmendje dhe veprim praktik. Vështirësia aktuale është në kontrast të fortë me neglizhencën me të cilën BE ka trajtuar vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë këtyre viteve. Garancia se të gjashta vendet, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia do të gjenin një ditë vendin e tyre në BE, u përsërit aq shpesh gjatë dekadave sa u bë e qartë edhe për të tërë: nuk ishte një premtim, por një justifikim eufemist. Pranimet e ardhshme ishin të lidhura me parakushtin e reformave të brendshme të BE-së, të cilat nuk u adresuan kurrë seriozisht. Nga ana e BE-së, ndoshta mbizotëronte ideja se nuk kishte nxitim për perspektivën e anëtarësimit.

Në fund të fundit, në terma afatgjatë nuk kishte asnjë alternativë tërheqëse ndaj anëtarësimit në BE për asnjë nga këto vende. Por, shpresa mund të bëhet bajate. Qindra-mijëra të rinj nga Ballkani Perëndimor nuk ishin të gatshëm të kalonin vitet e tyre më të mira në pritje të pafrytshme në dukje. Prandaj, ata vendosën dhe zgjodhën anëtarësimin individual në BE. Ndërkohë, në Ballkan, politikanët, burokratët dhe të tjerët mësuan se si t’i përgjigjen vonimit së pafundmë të horizontit të anëtarësimit me vonesën e pafundme të horizontit të reformës dhe si të nxirrnin përfitime nga ky proces.

Narrativat nacionaliste, secila me të kaluar krenare, fituan forcë të re, sepse e ardhmja post-nacionaliste nuk po dukej kund. Fakti që e gjithë kjo sëmundje thjesht nuk mund të vazhdojë të nxehet, sigurohet nga përmbysja e madhe gjeostrategjike me të cilën po përballet e gjithë Evropa, BE dhe Ballkani Perëndimor dhe për të cilën po ndërgjegjësohemi gjithnjë e më shumë.

Rusia dhe Kina kanë vendosur të luftojnë në koordinim të ngushtë strategjik dhe në bashkëpunim me regjimet e tjera autoritare për shfaqjen e një rendi të ri botëror që zëvendëson multilateralizmin me multipolaritetin, sundimin e ligjit ndërkombëtar me ligjin e xhunglës kohë dhe primatin e të drejtave të njeriut me sistem nënshtrimi të individit. E gjithë kjo tani paraqitet në një mënyrë të hapur antiperëndimore dhe e paketuar me propagandën se internacionalja e re e diktatorëve do të sigurojë më në fund ngritjen e vendeve më të varfra të të ashtuquajturit Jugu Global.

Rusia dhe Kina kërkojnë sistematikisht pika të dobëta në strukturën ndërkombëtare për t’i shfrytëzuar ato në interes të ambicieve të tyre perandorake dhe hegjemoniste. Ata po tentojnë edhe në Ballkanin Perëndimor dhe kjo po e ndryshon rrënjësisht situatën aty. Nacionalizmi serbomadh është bërë një portë për ndërhyrjen ruse dhe kineze në Ballkanin Perëndimor. Në figurën e Millosheviçit pretendimi serb për supremaci mbi njëzet vjet më parë iu nënshtrua vetëvendosjes së popujve më të vegjël të Ballkanit Perëndimor, të mbështetur nga BE-ja dhe ShBA-ja.

Në atë kohë, as Moska dhe as Pekini nuk kundërshtonin dot. Sot, megjithatë, në figurën e Vuçiqit, nacionalizmi serb po fiton forcë të re agresive sepse mund të mbështetet tek Rusia dhe Kina. Kur Vuçiqi thotë për rrugën e ardhshme të vendit të tij se zemra është në Moskë, por mendja është në Bruksel, ne nuk duhet ta keqkuptojmë këtë si një xhnglim politik. Në fakt, synimi i presidentit serb është të përdorë mendjen e tij për ta bërë Brukselin të paguajë për realizimin e dëshirave të zemrës së tij anti-evropiane. Nacionalizmi i madh serb aktualisht po destabilizon Ballkanin Perëndimor në një shkallë të gjerë. Dodik po shton zullumet në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në Kosovë, Beogradi po nxit tensionet duke promovuar forcat separatiste dhe madje edhe terroriste. Pavarësia e Malit të Zi dhe rruga e tij janë gjithashtu në pikëpyetje. Pa kuptuar dhe trajtuar nacionalizmin serb si kundërshtar i integrimit në BE në Ballkanin Perëndimor, stanjacioni i shkaktuar nga BE-a me dekada hezitimesh të papërgjegjshme do të kthehet në një moçal të përgjakshëm. Duke pasur parasysh këtë situatë, politika aktuale e BE-së për Ballkanin Perëndimor është e shtrembër sa më s’bëhet. Appeasement ndaj Dodikut. Appeasement ndaj Vuçiqit. Në vend që t’i përgjigjet siç duhet provokimeve të dukshme serbe kundër Kosovës, BE-ja po e sanksionon Kosovën.

Sulmet serbe ndaj KFOR-it, rrëmbimi i tre policëve kosovarë në Serbi, mbështetje për një sulm terrorist shumë të armatosur në veri të Kosovës dhe shpallje zie kombëtare serbe për tre terroristët e vrarë në të, këto janë vetëm zullumet më të vrazhda. Por, për BE-në, asnjë nga këto nuk është motiv për sanksione kundër Vuçiqit. Kjo nuk mund të shkojë mirë. Në seancën e fundit plenare, Parlamenti Evropian miratoi me një shumicë të madhe një deklaratë të qartë qëndrimi për konfliktin Serbi-Kosovë, e cila kërkon një qasje të re ndaj politikës së BE-së. Është shumë e dyshimtë nëse kjo është e mundur me triumviratin e diskredituar Borrell-Lajèák-Várhelyi. Dhe politika e ambasadorit të ShBA-ve në Serbi janë gjithashtu pengesë, por një ndryshim është i nevojshëm. Serbisë duhet t’i jepet një zgjedhje: Brukseli apo Moska. Një mirëseardhje e ngrohtë në rastin e parë, por jo përkëdhelje e mëtejshme në rastin e dytë. Për të pesë vendet e tjera vlen puna reale për pranimin në BE me shikimin tek vitit 2030.

 

 

Exit mobile version