Telegrafi

Politikat e reja tatimore kanë stimuluar bizneset

Profesori ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Isa Tahiri ka thënë se politikat e reja tatimore që kanë filluar të zbatohen në fillim të këtij viti që mbi shumën prej 500 eurosh të paguhen nëpër bankat është një gjë pozitive që kontribuon në zhvillimin e bizneseve dhe të ekonomisë së Kosovës në përgjithësi, që bënë që të ketë qarkullim bankar dhe jo me para në dorë apo kesh.

“Pagesat që do të bëhen në banka krijojnë mundësi të mira të qarkullim të parasë dhe kjo jep më shumë mundësi që paraja të mos mbetet në xhepat e qytetareve, qarkullimi nëpër banka është një mundësi që të ketë më shumë qarkullim”, ka theksuar ai.

Sipas tij ka edhe të meta sa i përket këtij vendimi për transaksionet në shumë me mbi 500 euro, por nuk mund të thuhet se është më shumë negative , pasi që nuk e dëmton biznesin.

“Këtu paguan drejtpërdrejt klienti dhe nëse një euro qarkullon brenda ditës tri herë, atëherë përfiton ekonomia e Kosovës dhe ka më shumë kontroll në qarkullim të biznesit në Kosovë”, ka theksuar ai.
Kurse menaxheri për Edukim të Tatimpaguesve, në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Ruzhdi Zenelaj ka thënë se që nga data 16 Shkurt 2009 është në fuqi Ligji 03/L-071 i cili ka ndryshuar dhe plotësuar Ligjin 2004/48 mbi Administratën Tatimore dhe Procedurat.

Kurse Administrata Tatimore e Kosovës, në vitin 2010 ka paraparë që të bëjë vendosjen e numrave fiskal që do të jenë një rregull e re për të mbledhur tatimet.

Ky proces është i ndërlidhur edhe me bizneset që kanë transaksione ndërmjet tyre. Nga janari i vitit 2010, të gjitha transaksionet mes bizneseve do të duhet të kenë numrat fiskalë.