Telegrafi

Politikat e kompanisë bënë që 35 punëtorë të kryejnë vetëvrasje, ish-drejtori ekzekutiv i Orange burgoset

Tridhjetë e pesë punëtorë të kompanisë franceze të telekomunikimit Orange – e njohur më parë si France Télécom – janë vetëvrarë.

Dhjetë vjet më vonë, tre ish-drejtues të lartë të kompanisë u dënuan për “ngacmim moral kolektiv” dhe “ngacmim institucional”, si dhe për “krijimin e një mjedisi toksik pune”, gjë që çoi në vetëvrasje të këtyre punëtorëve, përcjell Telegrafi.

Orange është një kompani botërore me 266 milionë konsumatorë dhe me 150 mijë të punësuar, ku bënë pjesë në top-dhjetë operatorët e telekomunikimit. Kompania, dikur e drejtuar nga qeveria tashmë është privatizuar dhe ky transfer shkaktoi kosto të konsiderueshme. Për të ulur kostot, menaxhmenti i kompanisë kishte realizuar një plan për largimin e rreth 22 mijë punëtorëve, si pjesë e një ristrukturimi të përgjithshëm.

Drejtuesit e kompanisë kishin krijuar një model të sjelljes për të shkaktuar “ankthe të rënda” në mesin e personelit, me qëllimin që ata të japin dorëheqje me vullnetin e tyre.

Në vend që të lëshonin vendet e punës, një numër i madh i punëtorëve vranë veten në mënyra të tmerrshme. Është raportuar se ata varën vetën, i vunë zjarrin vetës, u hodhën nga katetet e larta dhe u hodhën përpara trenave. Një punëtor 51-vjeçar nga Marseja vrau veten, duke lënë një letër, i cili i akuzonte shefat e tij për “menaxhim të tmerrshëm”, shkruan Forbes, përcjell Telegrafi.

Didier Lombard, ish-shefi ekzekutiv i Orange

Të premten e kaluar, një proces gjyqësor në Paris i shpalli fajtorë tre ish-drejtuesit si përgjegjës për krijimin e një atmosfere pune të frikshme. Sipas vendimit të tyre, “mjetet e zgjedhura për të larguar 22 mijë punëtorë ishin jolegjitime”. Gjykata tha se ish-drejtuesit kishin kryer “një skemë me qëllim të përkeqësimit të kushteve të punës” dhe politikat e tyre përfundimisht “krijuan një klimë ankthi” gjë që dërguan shumë punëtorë në vetëvrasje.

Ish-drejtori i përgjithshëm i kompanisë Didier Lombard, u akuzua për ndërtimin e këtij komploti që nxiti largimin e punëtorëve. Ai u dënua me burg me kohëzgjatje prej katër muajve dhe me një gjobë financiare prej 16 mijë dollarëve. Dy ish-drejtues të tjerë, përfshirë shefin e atëhershëm të burimeve njerëzore të Orange, u dënuan me burg dhe gjobë financiare. Ndërsa, Orange mori një gjobë në vlerë prej 83 mijë dollarëve. /Telegrafi/