Site icon Telegrafi

Politikani zviceran vë në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës

Deputeti në Parlamentin e Zvicrës nga SVP, Roger Köppel – i njohur më shumë edhe si shef i javores kontroverse “Die Weltwoche” – është paraqitur së fundi me një interpelancë parlamentare kundër pavarësisë së Kosovës.

“Ekzistimi i misionit Swisscoy në Kosovë është tregues se ky shtet nuk funksionon si shtet i pavarur”, ka thënë Köppel në këtë shkresë. “Me dërgimin e ushtarëve të Swisscoy-t po pranohet se në Kosovë nuk ekziston pushteti funksional. Kjo për faktin se garancia e një pushteti shtetëror është parakusht për njohjen e një shteti”, shkruan 20minuten.ch.

20minuten merr edhe mendimet e politikanëve të tjerë lidhur me deklarimin e politikanit Köppel. Arbër Bullakaj, që është politikan i Partisë Socialdemokrate (nënkryetar i kësaj partie për Kantonin St. Gallen) thotë: “Ai këtu i ngatërron gjërat që nuk kanë të bëjnë me njëra tjetrën. Fakti se Kosova është shtet sovran, nuk nënkupton që ajo nuk duhet të pranojë ndihma në ngritjen e saj. Për paqen në Evropë është me rëndësi që Kosova të jetë e mbrojtur prej sulmeve nga jashtë”.

Kundër kolegut të saj nga parlamenti është edhe deputetja Corina Eichenberger nga FDP, e cila është njëherësh edhe kryetare e Komisionit për Politikë të Sigurisë. Për të, sovraniteti i Kosovës është jashtë çdo debati ose është, thjesht, i pakontestueshëm.

Ministria e Jashtme e kontaktuar nga 20minuten nuk ka dashur të përgjigjet lidhur me interpelancën e Köppelit pasi që ende nuk është dhënë përgjigja që sipas procedurës, duhet të jepet nga Këshilli Federal. /albinfo.ch/

Exit mobile version