Site icon Telegrafi

Politikanëve qytetari u intereson vetëm për vota

Duket paksa nënçmuese të jesh qytetar i rendit të dytë apo të mundohesh para familjes dhe shoqërisë të paraqitesh si qytetar i rangut më të lartë. Në këtë derexhe kanë rënë shumica e njerëzve sot në Kosovë. Dhe, bie pyetja pse ka ndodhur dhe po ndodhë kështu?

Kjo po ndodhë pse njerëzit e politikës kanë bërë që pas çdo palë zgjedhjesh qytetarët të manipulohen me të madhe, duke i mashtruar ata se do të bëhet mirë. Kjo po bëhet në mënyrën më demagogjike të mundshme nga krerët e partive politike, duke iu ofruar qytetarëve të pamundshmen, dhe qytetarët gjithnjë po durojnë duke i mbajt shpresa gjallë së premtimet boshe te atyre që po ngjiten në pushtet një ditë do të pushojnë.

E, secili për këto vjet që u ngjit në pushtet pa fije turpi e ka përdorur votën e qytetarëve për t’i realizuar interesat e tyre personale.

Vitet po kalojnë e gjendja gjithnjë e më shumë po degradon, sidomos në planin ekonomik. Sa herë deri me sot u “bëmë” pjesë e strukturave evropiane nga fjalimet në media të strukturave më të larta të shtetit . Në të vërtetë, njerëzve të politikës në Kosovë qytetari i intereson vetëm si votë dhe person fizik i cili duhet t’i qaset kutive të votimit, e asgjë më shumë.

Politika ishte dashur të jetë servis i qytetarëve e jo e kundërta e saj. Siç po duket, qytetarët edhe në zgjedhjet e radhës për këdo që do të votojnë nuk do të dallojnë shumë nga njeri-tjetri.

Deri më tash ishim dëshmitarë të ndryshimeve më shumë kozmetike, se sa në të vërtetë u bë diç për të mirë. Aq më keq kur pushtetarët arsyetohen se e kanë marrë mandatin nga populli dhe në emër të kësaj i realizojnë interesat personale. Edhe koalicionet e deritashme më shumë u bënë krye në vete nga ata të cilët e fituan mandatin, edhe pse këto koalicione nuk përfaqësonin interesin e votuesve.

Në zgjedhjet të cilat po na presin, ata që janë më të fuqishmit sot në politikë veç kanë nisur t’i bëjnë llogaritë e tyre, duke mos e pasur parasysh vullnetin e atyre të cilët do të dalin në votime. Kjo i ngjanë logjikës komuniste, ku gjithçka planifikohej paraprakisht dhe askush as që ka pasur guximin ta kundërshtonte një vendim të tillë.

Është shumë paradoksale dhe e çuditshme kur disa njerëz më shumë janë të lidhur me partinë në të cilën janë, duke mbetur fanatik i saj, për t’i lënë anash kështu interesat imediate të familjes së tij dhe interesat e mbarë shoqërisë.

Shumë deri më tash nuk dolën për të votuar, gjë që është një paradoks tjetër dhe është një mos vetëdijesim qytetar. Dalja masovike në zgjedhje është legjitimim me i fuqishëm i pushtetit. Mjafton të shikojmë bashkëpunimin e kësaj qeverie dhe të Parlamentit i cili bashkëpunim edhe për çështje kapitale nuk po bëhet ashtu si duhet.

Këto zgjedhje nacionale në fakt ishte dashur të janë momenti më i volitshëm që situata të merr kah të mbarë me një udhëheqje të mbarë të shtetit. Ka ardhur koha që konkretisht të bëhet diçka konkrete për të jetuar më mirë. Partitë politike, mendoj unë, ishte dashur të lirohen nga ata të cilët deri më sot nuk u treguan efikas në punën e tyre, ose edhe ishin protagonistë të aferave të shumta korruptive.

Dihet pozita gjeografike e Kosovës, natyrisht shumë e volitshme për zhvillimin e shumë degëve të ekonomisë. I kemi të gjitha predispozitat që të jemi vendi më i zhvilluar jo vetëm në rajon, kur kemi parasysh edhe fuqinë punëtore shumë të re. Sigurisht se për ta rritur mirëqenien nevojitet t’i shfrytëzojmë të gjitha kapacitet që i kemi, me kusht që të largohen të gjithë spekulantet e oligarkisë politiko-financiare.

Deri më sot Kosova është mbërthyer në një klimë pesimiste ku shumica po kërkojnë një shteg për ta braktisur vendin. Kjo sidomos po ndodhë me gjeneratën e re, e cila ka mbetur në mëshirën e kohës.

Para nesh i kemi dy zgjedhje: të mbetemi shtet jo sa duhet funksional, të mbetemi shtet pa mirëqenie dhe pa zhvillim të nevojshëm të rrjedhave ekonomike. Apo e dyta: të zgjedhim variantin e ecjes tonë përpara duke punuar secili pa hile.

Duhet shumë t’i hapim sytë dhe të gjejmë modele të cilat përkojnë më shekullin në të cilin po jetojmë, në të kundërtën do të jetojmë nga ajo të cilin po na servirin që shumë kohë kjo kastë politike më shumë me dështime sesa më të arritura.

 

Exit mobile version