Philip Kotler do të vizitojë Kosovën së shpejti. Ai është profesori më i njohur në botë në fushën e marketingut. Ligjëratat e tij ndiqen me kujdes në tërë botën. Një të tillë do ta mbajë edhe në Kosovë. Do të ketë shumë pjesëmarrës në atë ligjëratë dhe përveç ekonomistëve, ndërmarrësve, menaxherëve, profesorëve, studentëve të shumtë… do ishte mirë që aty të marrin pjesë edhe politikanët tanë. Kanë shumë gjëra për të mësuar aty.
Ekziston një perceptim i gabuar sa i përket marketingut. Sidomos në atë që quhet koncept i marketingut modern. Perceptimi është se marketingu nuk është asgjë tjetër veçse një reklamë e produkteve apo shërbimeve. Kjo është shumë pak afër së vërtetës. Marketingu modern është shumë më tepër se një reklamë. Kështu së paku thotë profesor Kotler, si më i njohuri në botë në këtë lëmi.
Sipas marketingut modern, nuk është fare me rëndësi se çfarë produkti apo shërbimi ofrohet në kuptimin se si ndërmarrja e sheh atë produkt apo shërbim. Ajo që është me rëndësi kruciale në këtë rast është mendimi i atyre që “zgjidhin qesen”, pra japin paranë. Pa këta të fundit, kot që ofron një produkt apo shërbim (sado cilësor që të jenë) nëse nuk ka kërkesë për to. Prandaj, ndërmarrjet vazhdimisht kanë në shënjestër nevojat dhe kërkesat e konsumatorëve. Qëllimi përfundimtar i ndërmarrjes është ajo që quhet kënaqësi e konsumatorit. Pra, një ndërmarrje do të ketë arritur qëllimin e vet vetëm kur të ketë kënaqur konsumatorin.
Pse kënaqësia e konsumatorit është jetike për ekzistencën e ndërmarrjes? Shumë e thjeshtë. Konsumatori i kënaqur do të paguajë për produktin apo shërbimin e ofruar dhe kështu ndërmarrja fiton dhe prosperon. Në të kundërtën, ndërmarrja nuk ka kujt t’i shesë produkte apo t’i ofrojë shërbime dhe kështu falimenton. Detyrë e marketingut në këtë rast është që me anë të politikës së produktit , politikës së çmimeve, shpërndarjes dhe promocionit të arrijë kënaqësinë e konsumatorit dhe kështu sigurohet ekzistenca dhe përparimi i ndërmarrjes në kuptim afatgjatë.
Ky është një përshkrim fare i shkurtë i marketingut, meqë për këtë lëmi shkruhen libra të tërë me qindra faqe. Esenca është që të kuptohet koncepti modern i tij dhe jo thjesht vetëm si reklamë. Pra, është shumë më tepër se aq.
Po çfarë lidhje ka kjo që u tha me politikën? Përgjigja është në pyetjen: a nuk na ka rënë shpesh të dëgjojmë fjalinë e famshme të ndonjë politikani se ai tjetri po bëka “marketing politik”? Pra nëse e kemi kuptuar drejt marketingun, cila është esenca e kësaj fjalie dhe a po përdoret drejt?
Nëse marrim një analogji të kuptimit të marketingut në ekonomi dhe ndërlidhjen e tij me politikën, atëherë konsumatori në ekonomi është votuesi në politikë, ndërsa ndërmarrja në ekonomi për analogji ka politikanin dhe partitë politike në politikë, e që ofrojnë premtimet elektorale apo qeverisin. Në këtë kuptim, nëse synim i marketingut në ekonomi janë nevojat dhe kërkesat e konsumatorëve, në politikë politikanët do duhej të synojnë nevojat dhe kërkesat e votuesve apo të popullit. Njësoj si në ekonomi, ku ndërmarrja ka për qëllim kënaqësinë e konsumatorit, edhe ne politikë do duhej që arrihet kënaqësia e votuesve apo e popullit. Kjo është edhe në të mirën e politikanëve, sepse nëse ndërmarrja me arritjen e kënaqësisë së konsumatorit fiton dhe prosperon njëjtë ndodh edhe me politikanët dhe partitë e tyre politike, të cilat do të fitonin zgjedhjet dhe do zgjeroheshin dhe prosperonin edhe më shumë.
Nëse e kemi kuptuar drejt konceptin e marketingut në ekonomi dhe analogjinë me politikën atëherë qartazi shihet që disa nga politikanët tanë po e përdorin shprehjen “marketing politik” në mënyrë fare të gabuar. Ata e kanë kuptuar shumë keq marketingun. Në rastin konkret kur një politikan akuzon tjetrin se po bëka “marketing politik”, në fakt po i bëka një shërbim të mirë kundërshtarit sepse marketingu qenka i mirë. Pra, është njësoj sikur dikujt i thua: “Ti po punon për të kënaqur popullin” apo “ti po i realizon nevojat dhe kërkesat e popullit”. Natyrisht, jo në kuptimin e ndjenjës së kënaqësisë për fjalët e dëgjuara por me punën e bërë.
Marketingun politik pra duhet kuptuar drejt nëse e marrim për analogji marketingun në ekonomi. Në politikë, nëse politikanët duan të bëjnë marketing, atëherë duhet të japin premtime reale elektorale. Kur të fitojnë pushtetin duhet t’i realizojnë ato premtime dhe të punojnë për kënaqësinë e votuesve dhe jo të tyre, meqë kështu i sigurojnë vetes dhe partisë së tyre zgjerimin dhe mbajtjen e pushtetit. Kënaqësia e votuesve dhe e popullit në përgjithësi do ishte puna e madhe në përmirësimin e jetës së qytetarit, rendi dhe ligji. Në këtë kuptim do të ishte mirë që politikanët tanë të jenë prezent në ligjëratën e profesor Kotler, që të kuptojnë drejt marketingun në ekonomi me shpresën se do e zbatojnë edhe në politikë. Ndërkohë, ata politikanë që e kanë përdorur shprehjen “marketing politik” për kundërshtarin, do ta shihnin se sa kanë gabuar.