Politikanët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë uruar besimtarët e fesë islame për fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
“Ramazani vjen bashkë me paqe e gëzim në zemrat dhe familjet e besimtarëve myslimanë. Le të shfrytëzojmë këtë muaj të shenjtë për të agjëruar edhe nga fjalët, sjelljet e mendimet e padenja. Uroj që ky muaj i Ramazanit të sjellë lartësim shpirtëror, paqe të brendshme dhe gëzime në familjet tuaja”, uron kryeparlamentari Afrim Gashi.
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti uroi duke postuar një fotografi para Xhamisë “Sulltan Ahmet” në Stamboll.
Ka uruar dhe kreu i Integristëve, Ali Ahmeti.
“Uroj që ky muaj i shenjtë të sjellë shëndet, harmoni dhe unitet për të gjithë ne. Le të shfrytëzojmë këtë kohë për të pastruar shpirtin dhe mendjen, për të forcuar lidhjet tona me njëri-tjetrin dhe për të kontribuar në mirëqenien e shoqërisë sonë”, thuhet në urimin e Ali Ahmetit.
Këtë muaj agjërimi e ka uruar edhe Menduh Thaçi.
“Uroj që agjërimi, lutjet dhe të gjitha adhurimet tuaja gjatë këtij muaji të jenë të pranuara, t’ju sjellë shëndet, paqe dhe mirëqenie në familjet tuaja” uron Thaçi.
Edhe kreut i ASH-së, Ziadin Sela ka uruar besimtarët për muajin e Ramazanit.
“Uroj që secili nga ju të hyjë në këtë muaj e ta kalojë atë me shëndet, harmoni në familje e begati në shtëpitë tuaja. Le të sundojë çiltërsia në shpirtërat tanë, dashuria në raportet mes nesh dhe mëshira e begatitë e Zotit mbi të gjitha” – thuhet në mesazhin e Selës.
E me videomesazh ka thënë urimin e tij dhe kreu i Alternativës, Zeqirja Ibrahimi.
“Agjërimi, përtej një riti fizik, është një përkushtim shpirtëror, një kontemplim dhe meditim, që – përmes kufizimit të ushqimit – synon t’i shlyejë kufijtë e kësobotshëm dhe arritjen e lirisë së pakufishme shpirtërore,” tha Ibrahimi.