Site icon Telegrafi

Politikanët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut urojnë Kosovën për zgjedhjet parlamentare

Krerët politikë në Maqedoninë e Veriut kanë komentuar zgjedhjet parlamentare, të cilat dje u mbajtën në Kosovë.

Bilall Kasami, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi thonë se zgjedhjet e djeshme në Kosovë kanë pasur rëndësi të veçantë, njofton Telegrafi Maqedoni.

Bilall Kasami:
“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë ishin të një rëndësie shumë të veçantë. Maturia e qytetarëve që ju drejtuan kutive të votimit dhe e gjithë aktorëve politikë dëshmuan se ndajnë vlera evropiane, duke organizuar zgjedhje të lira dhe demokratike. Fitorja bindëse e forcave opozitare në Kosovë tregoi se po vjen një frymë e re ndër shqiptarët, e cila besoj të vazhdojë edhe me një fitore të tillë të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut në zgjedhjet e ardhshme! Në emrin tim personal dhe të të gjithë anëtarëve të Lëvizjes BESA urojmë Albin Kurtin dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE! për Fitoren e zgjedhjeve të së dielës. Shpresojmë kjo te jetë një
Ditë e Re për Shqiptarët dhe Kosovën”.

Ziadin Sela:
“Shqiptarët në Kosovë sot u përcaktuan për vlerën themelore të demokracisë, NDRYSHIMIN. Urime Vetëvendosje, urime Albin. Erdhi dita të mbash mbi supet e tua peshën e zhvillimit dhe progresit të Kosovës, të kthesh shpresën”.

Afrim Gashi:
“Zgjedhje kuptimplote në Republikën e Kosovës. Urime popullit të Kosovës për këtë kulturë të lartë politike dhe për këtë arritje të madhe demokratike. Urime edhe mikut tim, Albinit. Kjo mund të jetë fitore “e vogël” e VV-së, por është fitore “e madhe” shqiptarëve të Kosovës. Uroj që sa më shpejt të konstituohen edhe institucionet e reja për t’u përgjigjur në sfidat e mëdha që e presin Kosovën. Zgjedhjet e mbrëmshme në Kosovë e patën edhe një porosi tjetër – po ndërrohen gjeneratat dhe po vjen një kohë e re me shpresë për të rinjtë dhe për vatrat tona. Fryma e këtij ndryshimi do të reflektohet edhe matanë kufijve”.

Lexo po ashtu LIVE: Kosova votoi, çdo gjë që po ndodh pas mbylljes së qendrave të votimeve
Exit mobile version