Në një postim në rrjetin social Facebook, kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka shprehur hidhërimin e tij për vdekjen e figurës së njohur të shtypit shqiptar.
“Një lajm tronditës për humbjen e madhe të një njeriu e patrioti të mirë, gazetar i pakompromis e qytetar i angazhuar për idealet e idetë ku besoi deri në fund! Lamtumirë Andrea Stefani”, është shprehur Rama.
Përmes një mesazhi, lideri i demokratëve shqiptarë, Lulzim Basha, e ka vlerësuar analistin e njohur si “një zë të veçantë dhe të fortë” i diskutimit publik.
“Andrea Stefani është një ndër kontribuuesit e parë në mediat shqiptare, pas rënies së komunizmit. Me ikjen e tij u shua një zë i veçantë dhe i fortë i diskutimit publik në vend. U prehtë në paqe. Ngushëllime familjes dhe të afërmve”, është shprehur Basha.
Në një status në rrjetin social Facebook, ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha, veçon analizat politike të Stefanit, duke e cilësuar atë si një “avokat të vendosur të së majtës”.
“Ndahet nga jeta gazetari, analisti dhe publicisti Andrea Stefani. Andrea ishte një avokat i vendosur i të majtës, kritik dhe kundërshtar i palëkundur i imi dhe të djathtës së vendit, qe lë një boshllëk të vërtetë në arenën e debatit dhe publicistikës tonë. Me këtë rast i shpreh familjes së të ndjerit dhe miqve të tij ngushëllimet e mia më të sinqerta!”, ka shkruar Berisha.