Aktivisti i shoqërisë civile, Visar Azemi, të mërkurën iu bashkua Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kreu i partisë, Lumir Abdixhiku, teksa njoftoi për aderimin e Azemit, tha se “ardhja e Visarit në LDK për ne është vlerë”.
I pari i LDK-së ka thënë se “me profesionistë e njerëz të tillë, dhe të tjerë që do të na bashkohen në vijim, e ardhmja e LDK-së është e sigurt; e nga aty dhe e ardhmja e Republikës së Kosovës”.
Azemi është vetëm një nga shumë aderimet që së fundmi kanë ndodhur në partinë e dytë opozitare në vend, shkruan Telegrafi.
Para tij, LDK-së iu bashkua deputetja Doarsa Kica-Xhelili, aderimi i së cilës bëri bujë të madhe. Kjo pasi ajo u largua nga Lista “Guxo”, subjekt ky politik me të cilin garoi në zgjedhjet e fundit dhe mori besimin e qytetarëve për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës.
Ajo vendosi t’i ndajë rrugët me partinë e themeluar nga presidentja Vjosa Osmani, për të kaluar në LDK-në e Abdixhikut, kurse aderimi i saj u bë i ditur zyrtarisht nga ky i fundit më 8 shtator.
Teksa i uroi mirëseardhje, kreu i LDK-së pati një varg lëvdata për Kica-Xhelilin.
“Mirësevjen Doarsë! Sot, Lidhjes Demokratike të Kosovës, iu bashkua deputetja e Kuvendit të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili. Si politikane aktive e profesioniste e shquar, ardhja e saj në LDK është vlerë. Për këtë jemi të lumtur të gjithë”, shkroi Abdixhiku në llogarinë e tij në Facebook.
Partisë më të vjetër në vend së fundmi i janë bashkuar edhe dy profesoresha. Bëhet fjalë për Jehona Lushakun dhe Shqipe Bajçinca-Brestovcin.
Kjo e fundit, profesoreshë e Edukimit Fizik dhe Sportit, iu bashkua partisë më 31 mars.
“Profesoresha e Edukimit Fizik dhe Sportit, Dr. Shqipe Bajçinca-Brestovci, nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Shqipes i urova mirëseardhje dhe mbarësi në angazhimet e përbashkëta rreth politikave sportive që do t’i ndërtojmë e prezantojmë përpara”, shkroi Abdixhiku në Facebook atë ditë.
Ndërsa, profesoresha e shkencave politike, Jehona Lushtaku, aderoi në LDK më 22 dhjetor të vitit të kaluar.
“Jehona është ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, në Departamentin e Shkencës Politike. Ajo ka mbaruar studimet e doktoratës në Universitetin e Hanoverit në Gjermani me temë ‘Evropianizimi përmes kushtëzimit dhe deliberimit’ si dhe studimet postdiplomike në fushën e integrimeve evropiane në Qendrën Jean Monnet në Universitetin e Hanoverit po ashtu në Gjermani”, shkroi kreu i partisë.
Veç Kica-Xhelilit, një tjetër figurë e njohur politike së fundmi aderoi në LDK. Bëhet fjalë për kryetarin e Obiliqit, Xhafer Gashin.
Në një ceremoni solemne të mbajtur më 25 shkurt të këtij, ku i pranishëm ishte edhe kryetari bdixhiku, Gashi zyrtarizoi kalimin në këtë parti.
Pasi i uroi mirëseardhje Gashit dhe bashkëpunëtorëve të tij, Abdixhiku tha se kjo është një ditë e veçantë, të cilën e cilësoi si një ditë të rritjes, bashkimit dhe të vënies së themeleve të qëndrueshme të LDK-së në Obiliq.
“Kjo ceremoni e sotme, në pjesëmarrje kaq masive, është vulë e fuqisë sonë politike, fuqi që buron nga bashkimi ynë ideologjik, nga nevoja për reforma të thella strukturore, si dhe nga vizioni që ndajmë për të ardhmen tonë politike, për Obiliqin e për Kosovën”, theksoi ai.
Rreth një muaj pas aderimit, Gashi u zgjodh edhe kryetar i degës së LDK-së në komunën që drejton.
Gashi, në zgjedhjet e kaloi, fitoi besimin e qytetarëve të Obiliqit si kandidat i pavarur pasi paraprakisht ishte larguar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. /Telegrafi/