Site icon Telegrafi

Politika pengon investimet

Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë organizoi konferencën informuese për zhvillimin e sektorit privat, ku u diskutua plani i Qeverisë së Kosovës drejt zhvillimit të sektorit privat.

Kryeministri Isa Mustafa me këtë rast tha se trendi i investimeve të huaja ka shënuar ngritje në vitin 2015, por sipas tij situata politike në vend nuk është e favorshme për investime direkte.

Mustafa tha se në vitin e kaluar janë punësuar 16 mijë persona në shumë sektorë. Ai ka folur edhe për kompletimin e bordeve të Ndërmarrjeve Publike, por në lidhje me politizimin e bordeve ai tha se në Kosovë nuk ka asgjë apolitike.

Mustafa tha se prioritet për këtë vit është luftimi i ekonomisë jo formale, përgatitja për fillimin e projektit “Kosova e Re” dhe përkrahja e bizneseve me reformën fiskale që është bërë vitin e kaluar.

Ndërsa ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hikmete Bajrami tha se në 10 mujorin e parë të vitit 2015 ka pasur mbi 300 milionë euro investime të huaja.

Ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi duke folur për investimet në bujqësi tha se janë punësuar 2500 persona në këtë sektor.

Ministri i Financave Avdullah Hoti tha se janë duke i mbështetur bizneset me ligje të reja.

Ai tha se janë duke i shikuar mundësitë që të rikthejnë Bordin e Pavarur për Ankesa të bizneseve pas kërkesës së komunitetit të bizneseve. /Telegrafi/

Exit mobile version