Derisa, dokumentarët e filmuar për krimet e tmerrshme serbe në Kosovë, Bosnje e Kroaci thjesht censurohen edhe nga drejtësia, por edhe nga mediet, piromanët serbë me pena gazetari shfrytëzojnë gjithë hapësirën informative të rajonit. Fatkeqësisht, shumë herë ato që thotë RTS-i përkthehen dhe transmetohen pa komente edhe nga disa medie edhe tek ne, duke u dhenë edhe më shumë fuqi. Jo pak herë auditori mbetet i habitur dhe duket sikur harron dhjetëra mijëra viktima të krimit serb dhe mijëra e mijëra të zhdukur, eshtrat e të cilëve vazhdojnë të tretën diku në Serbi.
Me socialistët e Millosheviqit në pushtet, me mediet e pa transformuara serbe edhe dymbëdhjetë vjet pas luftës në Kosovë, shpresat për paqe në Ballkan mbeten iluzion. Nëse amnistohet qeveria e Beogradit për gjithë atë që po ngjanë në veriun e Kosovës, por edhe në rajon, atëherë e tëra i ngjason vlerësimeve të kohës së Millosheviqit.
Derisa, Republika e Serbisë po kryente krime të papara që nga Lufta e Dytë Botërore, në Kroaci, në Bosnje e në Kosovë, në vazhdimësi kjo vlerësohej si njëfarë konflikti, dhe thuhej se qeveria e Beogradit kinse angazhohet për paqe, duke mos pranuar asnjëherë të vërtetën e madhe për atë që po ngjante, e që fatkeqësisht po vazhdon edhe sot e gjithë ditën.
Fakte që flasin sot
– Në veri të Kosovës goditen me armë trupat paqeruajtëse të KFOR-it, ndërsa mediet serbe shkruajnë se forcat ndërkombëtare po hapin zjarr me armë mbi “popullin duarthatë serb”.
-Bosnje e Hercegovina, edhe një vit të plot pas zgjedhjeve parlamentare, nuk mund të konstituojë qeverinë republikane, ngase Republika Srpska, me Dodikun në krye, tallet me shtetin boshnjak dhe dihet për dritë të diellit se ajo dirigjohet nga Beogradi.
– Një telefonate e rrejshme për bombë të vendosur ne Kuvendin Komunal të Ulqinit u dëshmua dhe vërtetua se burimin e kishte nga Beogradi.
– Me Maqedoninë, Serbia vazhdon të ruajë konflikt të heshtur përmes Kishës Ortodokse Serbe me problemin e njohur si “Prohor Pçinjski”.
– Në Vojvodinë, hungarezët akuzohen si bashkëpunëtor të Hitlerit. Atje serbët zhvillojnë fushatë luftënxitëse dhe në fokus tash janë folksdojçerët (gjerman folësit). Policia dhe xhandarmeria serbe arreston të rinjtë hungarezë, për kinse rrezikun nga gjoja paraqitja e formacioneve të së djathtës ekstreme nga radhët e këtij entiteti. Po ashtu parlamenti serb ka hedhur poshtë miratimin e ligjit mbi kthimin e pasurisë së konfiskuar nga sistemi komunist për gjithë gjerman-folësit në Vojvodinë, krejt me arsyetim se ata paskëshin qenë në shërbim të okupatorit.
– Myslimanët e Sanxhakut po gjobiten vetëm për shkak se e kanë paralajmëruar bojkotimin e regjistrimit të popullsisë dhe për ankesat e tyre ndaj diskriminimit të hapur nga qeveria e Beogradit.
– Të drejtat elementare të shqiptarëve të Luginës së Preshevës të cilat shkelen përditë, as që i diskuton dikush në Serbi.
– Minoriteti rom në Serbi trajtohet si top futbolli, ndërsa familje të tëra të këtij entiteti nxirren me dhunë nga shtëpitë e tyre dhe shpërngulen nga qendrat urbane, në vende ku nuk kanë jetuar kurrë më parë.
– Për ministrin serb të rendit më me rëndësi është paqja me krimin dhe kriminelet se sa shkelja e të drejtave elementare të cilës do pakicë etnike.
– Prokuroria e Serbisë vazhdon të shpërndajë aktakuza të reja për luftëtarët e rezistencës në Kosovë, Bosnje e Kroaci.
Prokurorët serb veprojnë si në Jugosllavinë e dikurshme dhe madje me farsa gjyqësore mbajnë në këmbë auditorin kinse edhe po gjykojnë ndonjë kriminel serb të luftës. Një kontroll i pavarur ndërkombëtar do të mund të verifikonte gjithë maskaradën e saj rreth dënimeve të atyre serbëve që masakruan mijëra fëmijë, gra, pleq e qytetarë të pafajshëm anë e kënd Kosovës, Bosnjës e Kroacisë.
Megjithëkëtë, ledhatimet ndërkombëtare ndaj trashëgimtarëve të vozhdit vazhdojnë, ndërsa FMN dhe BB, pas lufte, më shumë se njëzetë herë shpëtuan ekonominë serbe nga bankrotimi i plotë.
Gazetarët luftënxitës serb si në kohën e vozhdit
Lugetërit me pena e kamera gazetari, serish u gjenden aty ku edhe e nisen luftën, në Kosovë. Jo rastësisht gjatë bombardimeve që ndërmori NATO, në vitin 1999, Radiotelevizioni serb u mor si cak. Ky medium me informacionet e tij, në emër të gazetarisë, mbolli vdekje në të gjitha territoret e ish Jugosllavisë. Ditë me herët shumëkujt i pat ra në sy një komunikatë kërkim-faljeje e RTS-it për informacionet luftënxitëse, gjë që nga analistët e mirëfilltë, me të drejtë u vlerësua si tallje me auditorin dhe viktimat e luftës.
Shumë nga njerëzit e penës në Evropë e priten me skepticizëm dhe befasi këtë sihariq. Auditori serb, fatkeqësisht, as sot, 21 vjet nga fillimi i luftës në Ballkan nuk u informua kurrë nga mediet e tij për krimet që kreu soldateska serbe mbi popujt fqinj. Radiotelevizioni serb, me gazetarë piromanë të luftës, në veriun e Kosovës, u pa me fytyrën e tij të vërtetë. Edhe tash, shumica dërmuese e medieve serbe, për fat të keq, nuk u dalluan fare nga RTS-i. Fabrikimi i gënjeshtrave nga mediet serbe vazhdoi aty ku kishte mbetur, kur kishin pushur bombat e NATO-s
Do të ishte edhe jo etike të citohen gjithë ata tituj informacionesh të rrejshme luftënxitëse, që u panë e vazhdojnë të shihen në shumicën e medieve të Beogradit. Nëse edhe pas të gjitha ngjarjeve të fundit dikush nuk e ka kuptuar se kush po shtie me armë, jo vetëm kundër Kosovës por edhe kundër vetë paqes në Ballkan, atëherë ai nuk ka pse merret më me politikë.
Krerët aktual serb, pa ngurrim, deklarojnë se KFOR-i duhet të mbetet neutral dhe nuk ia shpjegojnë asnjëherë auditorit të tyre, pse erdhi KFOR-i, dhe pse forcat paqeruajtëse janë sot këtu, edhe dymbëdhjetë vjet pas mbarimit të luftës në Kosovë.
Gjithçka dëshmon se më politikën aktuale dhe me veprimtarinë kriminale të medieve serbe, Beogradi, në fjalorin e tij, fjalën paqe ende e ka të papranueshme.
Serbia i di mirë dy variante të historisë së Ballkanit
Shumë analistë, opinonistë, gazetarë e politikan të vetë nominuar mund t’i ketë parë njeriu duke defiluar nëpër medie të shkruara e elektronike, me ide për rikufizim shtetesh të Ballkanit. Kushdo që ka lexuar së paku disa fjali nga historia, ka parë se popujt e Ballkanit, asnjëherë gjatë gjithë historisë, nuk i kanë caktuar kurrë kufijtë e shteteve të tyre. Faktori i jashtëm përherë ka vizatuar kufijtë e deridjeshëm dhe të sotëm, që për fat të keq, shumë herë në dëm të popujve tjerë, jo serb, të Ballkanit.
Serbia i di mirë dy histori të Ballkanit dhe të popujve të këtij rajoni. Një histori nga strukturat gjakatare serbe u shpjegohet brezave të rij për indoktrinim shovinist, ndërsa tjetra, ajo e vërteta, përfolët në heshtje. Serbia gjithmonë niset nga parimi; po e provojmë gënjeshtrën dhe nëse e han pazari vazhdojmë tutje. Se çfarë fitoreje e konsideron Serbia Republika Serpsken mund ta shoh çdo amator. Kriminelëve më të mëdhenj që ka regjistruar historia pas Luftës së dytë botërore Mladiqit e Karaxhiqit, serbët ende u thurin himne dhe bilbordët e tyre mbushin zyre, lokale publike e rrugë nëpër Serbi.
Gjithë gjykimi i krimineleve serb në Hagë, nga mediet serbe, u përcoll si fitore e Beogradit. Vetë Tribunali i Hagës, por edhe të gjitha mediet e shteteve evropiane, kanë prova të shumta e të pakontestueshme materiale për krimet serbe në Kosovë, Kroaci e Bosnje, dhe për këtë nuk do të duhej ndonjë koment.
Derisa askush nuk e bëri atë që do të duhej bërë, politika dhe mediet serbe, duke parë këtë heshtje, bënë të kundërtën, madje tash sikur duken të jenë në ofensivë. Tash dymbëdhjetë vjet, në mediet tona pati shumë pak informacion dhe dokumentar për krimet dhe shkatërrimet serbe e shumë herë ato edhe u censuruan. Për të kursyer auditorin nga pamjet e tmerrit, kjo do të ishte krejt normale, mirëpo hapësira për këtë, u shfrytëzua mizorisht nga piromanët serbë me pena gazetari, dhe nga shumica dërmuese e medieve luftënxitëse serbe.