Sigurimi i numrave është shndërruar në pjesën më të rëndësishme të kalkulimeve politike në prag të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, më 3 gusht.
Koalicioni PAN (PDK, AAK dhe Nisma) si subjekt fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, pritet të përballet me dy ‘beteja’ rreth krijimit të numrave. Së pari, në seancën konstituive, kërkon të gjejë mbështetjen e deputetëve për zgjedhjen e kryetarin e Kuvendit, i cili sipas të gjitha matematikave zgjedhore i takon që të propozohet nga ky koalicion.
Sipas Kushtetutës, “Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”.
PDK dhe koalicioni PAN po synojnë që të kenë 61 vota e më tepër, si për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ashtu edhe për Qeverinë e re.
Por, pa zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nuk do të mund të vazhdohet me asnjë procedurë tjetër rreth formimit të institucioneve.
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj është shprehur më se i bindur se PAN do t’i ketë numrat për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit më 3 gusht.
“Ne do të kemi numra të mjaftueshëm për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe nga ana jonë kandidati më i preferuar është Kadri Veseli, por pritni më 3 gusht, pasi me këtë datë, fjalët që ne themi do të shndërrohen në realitet”, ka thënë Hoxhaj.
Sipas tij, faktet janë që koalicioni PAN e ka shumicën për ta propozuar kryetarin e Kuvendit, andaj pas zgjedhjes së tij, do të procedohet edhe me zgjedhjen e kryeministrit dhe Qeverisë së re.
Megjithatë, ndryshe nga Hoxhaj mendojnë përfaqësuesit e subjekteve tjera në Kuvend, përkatësisht ata të Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetët nga koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën.
Deputetja e zgjedhur, Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa, që bën pjesë në koalicionin me LDK-në, mendon se koalicioni PDK-AAK-Nisma nuk i ka numrat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe Qeverisë së re.
Në harmoni me qëndrimet e LDK-së, por edhe partive në koalicion, AKR-së dhe Alternativës, Kusari-Lila ka thënë se nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryekuvendar, e as Ramush Haradinajn për kryeministër.
“Kadri Veseli ka bërë gjithçka që Qeveria (Mustafa) të rrëzohet dhe ata të marrin postet”, ka thënë Mimoza Kusari-Lila, duke e arsyetuar qëndrimin kundër zgjedhjes së tij në postin e të parit të Kuvendit.
Përderisa, deputeti i zgjedhur nga LDK-ja, Driton Selmanaj ka folur pikërisht në lidhje me politikat për numra, duke ironizuar.
“Kur bëhet fjalë për numra, kupton se po flitet për numra telefoni, numra të këpucëve, por jo për njerëzit”, ka thënë ai.
“Në asnjë variant me PDK-në”, ka thënë ai, duke shtuar se “Kosovës i duhet një Qeveri e qëndrueshme”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit për datën 3 gusht. Në këtë seancë, pritet të bëhet verifikimi i mandateve të deputetëve, të bëhet betimi dhe zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët.
Më pas, fillon faza prej 15 ditëve për formimin e Qeverisë. Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, kjo e drejtë i takon koalicionit PAN (PDK, AAK dhe Nisma) si fitues i zgjedhjeve. Ky koalicion ka kandiduar për kryeministër liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn.
Për formimin e Qeverisë janë të nevojshme të paktën 61 vota të deputetëve. /Rel/