Site icon Telegrafi

Politika e jashtme në duart të sigurta

Sa herë që flasim për telashet e shumta të Kosovës, nuk është e rastësishme që ngecja e vendit në rrafshin ndërkombëtar përbën shqetësim kryesor. Ndërsa bisedojmë për zgjidhje, padyshim se shohim si hap të parë fuqizimin e politikës së jashtme dhe për këtë kërkojmë një udhëheqës me përgatitje e përkushtim. Andaj, çdo përpjekje për të gjetur njeriun e duhur për ministër të jashtëm është e natyrshme të shpie tek intelektualët e rinj të vendit, shtyllat e shoqërisë civile, si veprimtari dhe studiuesi Faton H. Bislimi. Nuk është aspak e rastit që emri i gjilanasit është lakuar në disa shkrime të mëparshme nga publicistë që njohin si veprimtarinë e larmishme të Faton Bislimit ashtu edhe nevojat e vendit. Fatoni ka pas një karrierë akademike e profesionale që lidhet ngushtë me popullin dhe shtetin e Kosovës dhe spikat arritje të nivelit botëror që përkufizojnë punën e një diplomati të suksesshëm.

Faton Bislimi i përket një brezi atdhetarësh që nga e kaluara e vështirë kanë fituar bindjen për domosdoshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Por njëherësh, veprimtari kosovar i takon një brezi të ri që për dallim nga të mëparshmit ka tejkaluar pengesat në arsim. Magjistër i Harvardit për administratë publike e zhvillim ndërkombëtar, Fatoni u diplomua fillimisht me nderimet më të larta nga Universiteti Luterian i Teksasit (Texas Lutheran University), i shpallur një nga shkollat më popullore për mësimin e njohurive të përgjithshme apo arteve liberale. Ndërsa së voni, ka fituar edhe një gradë master në marrëdhënie ndërkombëtare nga Universiteti Dalhousie në Kanada, ku edhe po përfundon disertacionin e doktoraturës në këtë institucion kërkimor të njohur botërisht.

Duke ndjekur studime cilësore në hemisferën perëndimore, Faton Bislimi ia doli që përkushtimin ndaj vendlindjes ta gërshetojë me një përvojë tejet të nevojshme në shkencë, politikë, ekonomi e diplomaci. Ai punoi pranë Kongresit Amerikan, më saktësisht me Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë, dhe u angazhua me Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane të Joe DioGuardit, duke krijuar miqësi e ura lidhëse që mund dhe duhet t’i shërbejnë vendit tonë.

Si student në Harvard, Fatoni ishte koleg me personalitete me ndikim nga të gjitha kontinentet, duke shfrytëzuar rastin edhe për të bashkëpunuar me disa nga ata individë në hulumtime akademike për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Si themelues i fondacionit Bislimi, Fatoni dha ndihmesë të veçantë teksa u siguroi bursa studentëve kosovarë për shkollim në Shtetet e Bashkuara. Në të njëjtën kohë, vazhdoi t’i shërbente bashkësisë së mërgimtarëve shqiptarë në Amerikë – për ta është përpjekur edhe në punime shkencore me temë emigracionin dhe rolin e tij në vendlindje – dhe u shqua si autor i dy librave dhe kolumnist i mprehtë e largpamës, duke prekur gjithnjë çështjet me interes për Kosovën.

Me t’u kthyer në Atdhe, Faton Bislimi ndërmori hapa të menjëhershëm për të jetësuar përgatitjen e tij akademike dhe përvojat që i sillte nga Amerika. Ai ushtroi funksione në agjencitë për zhvillim të OKB-së (UNDP) dhe Shteteve të Bashkuara (USAID), punoi me qendra hulumtuese dhe ligjëroi në disa institucione të arsimit të lartë, si Universiteti Amerikan dhe Kolegji Universitar Victory. Ndërkohë, bashkëthemeloi Qendrën Kosovare për Politika Publike (KPPC), një institut kërkimor modern që po sjell risi në vlerësimin e punës së qeverisë dhe në përcaktimin e përparësive për zhvillimin e vendit. I ndodhur tani në Kanada, ku po kryen hulumtime dhe po ligjëron lëndë të ekonomisë në dy universitete, Faton Bislimi ka përvojën në studime zhvillimore dhe qasjen që nevojitet për të paraqitur Kosovën si vend stabil e të përshtatshëm për investime të huaja.

Fatoni është i pëlqyer nga studentët e tij; është i dashur si për bashkëkombësit ashtu edhe për miqtë amerikanë; ndërsa cilësitë e tij nuk i mohojnë as edhe ata që arsye të vetme për ta kundërshtuar kanë përkushtimin e Prof. Bislimit ndaj Atdheut të vet. Duke ruajtur pavarësinë nga fraksionet politike të Kosovës, Fatoni ka dhënë ndihmesë të çmueshme në shumë fusha dhe ka kredencialet e nevojshme për t’u ngarkuar me detyrë të re, si ministër i punëve të jashtme të Kosovës.

“Ministria e jashtme”, shkruante nga Çikago Luan Mazreku, “duhet të udhëhiqet nga Faton Bislimi, sepse ai përfaqëson pavarësi të dëshmuar dhe të palëkundur politike”. Dhe njëmend, Fatoni është aq i pavarur saqë edhe të shkruash në përkrahje të tij është mënyra më e sigurt për të ruajtur paanshmërinë. Anash asaj, ndërsa shekulli XX nisi Fan Nolin e Faik Konicën të diplomuar nga Harvardi dhe me pavarësinë e Shqipërisë, qindvjetëshi i ri zuri fill me Faton Bislimin të shkolluar në universitetin prestigjioz dhe me krijimin e shtetit të ri të Kosovës. Tani u mbetet udhëheqësve të vendit të zgjedhin nëse duan të lënë mënjanë burimet e rralla njerëzore apo duan t’i angazhojnë ato në të mirë të popullit dhe shtetit tonë.

Exit mobile version