Portali nga Brukseli “Politico” ka komentuar inaugurimin e djeshëm të presidentes së re, Gordana Siljanovska Davkova, se edhe gjatë aktit ceremonial në Kuvend, duke mos e përdorur emrin kushtetues, ka shkaktuar debat me Greqinë fqinje dhe reagime të shumta nga Athina.
Presidentja e sapozgjedhur nacionaliste e Maqedonisë së Veriut, edhe para se të bënte betimin të dielën, shkaktoi një mosmarrëveshje diplomatike me Greqinë fqinje, raporton Politico.
Politico raporton se gjatë ceremonisë së betimit në Parlament, Siljanovska Davkova, për të cilën ajo tha se është presidentja e parë femër e vendit të saj, e quajti vendin e saj Maqedoni në vend të emrit të saj kushtetues Maqedonia e Veriut.
Ambasadorja e Greqisë në Shkup, Sofia Filipidou, është larguar menjëherë nga ceremonia e inaugurimit në shenjë proteste, shkruan portali, duke shtuar se partia e djathtë OBRM-PDUKM, kandidate e së cilës për president ishte Siljanovska-Davkova dhe e cila fitoi edhe zgjedhjet e fundit parlamentare javën e kaluar, refuzon Marrëveshjen e vitit 2018, e cila parashikon që vendi të mos quhet Maqedoni.
Sipas marrëveshjes historike të Prespës, thuhet në artikull, se është ndryshuar emri dhe Kushtetuta e vendit, duke i mundësuar Maqedonisë së Veriut hyrjen në NATO në vitin 2020 dhe fillimin e procesit të anëtarësimit në BE.
Sipas portalit, kthimi i OBRM-PDUKM-së në pushtet pas shtatë vitesh, pas fitoreve të mëdha në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të javës së kaluar, pritet të komplikojë më tej marrëdhëniet me Greqinë dhe Bullgarinë, si dhe anëtarësimin e vendit në BE./Telegrafi/