Telegrafi

Policia zë të kërkuarin nga Maqedonia e Veriut, e dërgon në paraburgim

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt – Departamenti për Krime të Rënda, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.K., i cili është kërkuar nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar. F.K. dyshohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, sipas nenit 173, paragrafi 1, nën paragrafi 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se kundër të pandehurit është lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar nga Interpoli, sipas kërkesës së datës 25 korrik 2008 të Maqedonisë së Veriut. F.K. dyshohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë në Maqedoninë e Veriut dhe më 18 korrik 2024 është ndaluar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës – Stacioni Policor në Kaçanik.

Gjykata ka aprovuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, në përputhje me nenin 22, paragrafi 1 të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështje Penale (Ligji nr. 04/L-213). F.K. i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 40 ditësh.

Palët janë njoftuar se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij./Telegrafi/