Site icon Telegrafi

Policia vitin e kaluar shkatërroi 17 banda të trafikantëve të drogave në Kosovë

Në Kosovë grupmosha që më së shumti konsumon substanca narkotike është ajo prej 21 deri 35 vjeç, por shteti i Kosovës më shumë është vend tranist i trafikantëve të drogës, sesa vend që ka probleme shumë të mëdha me konsumimin e këtyre barërave ilegale.

Këto informacione i ka dhënë shefi i sektorit për bashkëpunim dhe parandalim në Drejtorinë e Antidrogës, Bajram Nuhiu.

Ai ka folur edhe për operacionet e suksesshme që ka pasur policia e Kosovë kohëve të fundit në kapjen e narkotikëve dhe shkatërrimin e bandave që merren me trafikimin e këtyre substancave.

“Vetëm javën e fundit janë arrestuar 34 persona për trafikim droge – substancave narkotike. Po ashtu janë konfiskuar rreth 160 kilogram të substancave narkotike. Janë konfiskuar 19 mijë euro dhe disa auto-vetura”, ka thënë Nuhiu, për ‘Ora e Fundit’ në Klan Kosova.

“Megjithatë Kosova është vend transit i substancës narkotikë të llojit marihuanë. Një pjesë e vogël mbetet në Kosovë, por sasia më e madhe vetëm kalon nëpër Kosovë. Ajo (marihuana) vjen nga Shqipëria, nëpër Serbi e në vendet e BE-së. Frekuentimi i marihuanës është shtuar, pasi dihet se në Shqipëri ka më shumë prodhim të kësaj substance”.

“Ndërsa heroina po ashtu ka kaluar nga Afganistani e nëpër rrugën e Ballkanit, që përfshinë edhe Kosovën”.

Nuhiu ka thënë se nuk ka informacione të sakta se grupet kriminale në Kosovë, që merren me këtë aktivitet, kanë lidhje me bizneset e politikën, porse ka siguruar se edhe nëse ka të tilla, kjo s’e ndalon policinë për t’i kapur anëtarët e këtyre grupeve.

“Vitin e kaluar kemi shkatërruar 17 grupe kriminale, ndërsa në këtë tremujor kemi shtatë grupe të shkatërruara. Prapa këtyre grupeve qëndrojnë trafikantë që përfitojnë ilegalisht. Nuk kemi statistika që mund të themi që janë të lidhura me biznesin legal dhe me politikën. Por, policia asnjëherë nuk heziton në luftimin e grupeve të tilla. Jemi të pavarur e të lirë”, tha ai. /Klan Kosova/

Exit mobile version