Në kuadër të ngritjes së kapaciteteve të Policisë Ushtarake të FSK-së, Policia ushtarake ka trajnuar dhe certifikuar togun e mbështetjes luftarake.
Këto kapacitete janë ngritur konform objektivave të komandantit të FSK-së, në ngritjen e kapaciteteve operacionale për mbrojtjen e territorit të Republikës së Kosovës.
“Togu është i gatshëm të operoj në ambiente operacionale të ndryshme dhe të kryej një gamë të gjerë detyrash brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Gjithashtu janë certifikuar pjesëtarët nga kursi bazik për Polici Ushtarake i cili është organizuar nën mbikëqyrjen e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.
Gjeneral brigade Ilir Qeriqi në emër të Komandantit të FSK-së, përgëzoi pjesëtarët dhe lidershipin e Policisë Ushtarake në ngritjen e kapaciteteve dhe arritjen e objektivave të PU-së dhe FSK-së.
Komandanti i Policisë Ushtarake Nënkolonel Besnik Selimi uroi pjesëtarët për arritjen dhe kërkoi që motivi, puna dhe profesionalizmi të gdhendet në ADN-në e çdo pjesëtari të Policisë Ushtarake.
“Në ceremoni morën pjesë nga KDS, Kolonel Arben Krasniqi dhe shefi i trajnimeve në SHP, nënkolonel Dedë Hiseni. Për arritje të lartë akademike me mirënjohje u shpërblyen OR4 Dren Latifi dhe OR3 Bled Vuniqi”, përfundon komunikata e FSK-së.