Telegrafi

Policia u detyrua të lironte ‘emigrantin e paligjshëm’ pas përplasjes me protestuesit në Londër

Oficerët e imigracionit që tentonin të arrestonin një të dyshuar janë detyruar të bëjnë “një tërheqje taktike” pasi u përballën me turma njerëzish.

Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, protestuesit rrethuan furgonin e Emigracionit dhe madje u duk se u përleshën me policinë pas bastisjes në një pronë në Peckham, në juglindje të Londrës, të shtunën pasdite.

Policia u thirr për të mbështetur zyrtarët e Home Office pasi turma u rrit në më shumë se 100 persona – pas një thirrjeje në media sociale “për veprim”.

Grupi rrethoi furgonin – ku ndodhej i dyshuari mashkull – dhe kërkuan që ai të lirohej.

Zyrtarët kanë zbuluar tani se burri, i cili besohet të jetë nigerian dhe dyshohet se ka tejkaluar vizën e tij, është liruar me kusht.

Dhe pamjet tregojnë oficerët që largohen nga prona, duar bosh, ndërsa turmat brohorasin “Mos u ktheni më në Peckham”.

Një reagim i tillë vjen në një sfond të debatit publik rreth planit të qeverisë britanike për të transportuar azilkërkuesit që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar në Ruandë ndërsa kërkesat e tyre përpunohen.

Aktivistët e krahut të majtë dhe avokatët e të drejtave të njeriut po përpiqen të ndalojnë fluturimin e parë që niset të martën dhe Princi Charles u pretendua se kishte shprehur privatisht mosmiratimin e tij për planin. /Telegrafi/