Telegrafi

Policia turke kërkon në pyll trupin e Khasshogit

Policia në Turqi, që po heton vrasjen e dyshuar të gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, i zgjeroi hetimet.

Zyrtarët turq thanë se trupi i tij mund të jetë hedhur në pyllin pranë konsullatës saudite në Stamboll.

Khashoggi, kritik i udhëheqjes saudite, u pa për herë të fundit duke hyrë në këtë konsullatë, më 2 tetor.

Turqia dyshon se ai u vra, Arabia Saudite thotë se nuk di për fatin e tij.

Mostrat e marra nga konsullata saudite dhe rezidenca e konsullit, gjatë bastisjeve këtë javë, po testohen, për të parë nëse përkojnë me ADN-në e Khashoggit.

Turqia ka thënë se ka prova me zë dhe video se Khashoggi është vrarë, por ato nuk janë bërë publike, raporton Evropa e Lirë.

Incidenti ka shkaktuar tensione të konsiderueshme midis Riadit dhe aleatëve perëndimorë.

Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, dhe sekretari britanik i Tregtisë, Liam Fox, janë zyrtarët e fundit të lartë që u tërhoqën nga pjesëmarrja në një konferencë të madhe investimesh, që do të mbahet javën e ardhshme në Riad.

Foto: AFP