Telegrafi

Policia spanjolle shpartallon grupin kriminal, zbulon laboratorin për prodhimin e kokainës – brenda kishte të gjitha pajisjet e nevojshme si në një fabrikë

Agjentët e policisë spanjolle kanë zbuluar një lokacion, ku gjendej një laborator i fshehtë për prodhimin e kokainës.

Si rezultat i operacionit policor janë arrestuar pesë persona, e mbi 50 kilogramë kokainë janë sekuestruar dhe mbi 3.000 litra kimikale të nevojshme për përpunimin e kësaj lënde narkotike, transmeton Telegrafi.

“Kjo organizatë kriminale kishte tërë infrastrukturën e nevojshme për prodhimin e afro 150 kilogramë kokainë në muaj. Hapësira e parë kishte kushte minimale për banim, ku kuzhinierët kolumbianë ishin vendosur në të”, thuhet në kumtesën e policisë.

Aty kishte pothuajse gjithçka sikurse një fabrikë, nga materiet e nevojshme për përpunimin e kokainës, e deri te filtrat e mbështjellësit për paketim.

Hetimet për këtë operacion kishin filluar në fillim të këtij viti, kur policia u paralajmëruar për prezencën e një organizate kriminale që ka laboratorë te fshehta në jug të Madridit, ku prodhohet dhe shpërndahej kokaina. /Telegrafi/