Policia kufitare e Shqipërisë arrestoi sot dy shtetase dhe dy të tjera po i heton në gjendje të lirë pas dyshimeve për kontrabandë veshjesh në shuma të konsiderueshme.
Katër shtetase 26 dhe 61 vjeçare si dhe 24 dhe 52 vjeçe u përpoqën të futnin në vend duke shkelur rregullat kufitare mallra të padeklaruara në doganë.
Një shtetas gjerman 44 vjeçar u përpoq të nxirrte jashtë Shqipërisë fshehur në çanta 30 mijë euro të padeklaruara tek autoritetet kufitare.
Policia e shtetit vazhdon ndërgjegjësojë udhëtarët me fushata dhe veprimtari të ndryshme mbi transportimin e parave dhe mallrave brenda dhe jashtë vendit.
Drejtoria e Doganave dhe Polici e Shtetit nisën sot një fushatë informuese mbi rregullat e transportimit të parave në pikat kufitare.
Fushata, e mbështetur nga Bashkimi Europian, Këshilli i Europës dhe qeveria gjermane, bazohet në detyrimin ligjor të udhëtarëve për të deklaruar tek autoritetet doganore shuma mbi 10 mijë euro në çastin e kalimit kufitar, për të mos shkelur detyrimet ligjore në luftën kundër transportimit të jashtëligjshëm dhe pastrimit të parave.
Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Hubert Perr deklaroi në tubimin hapës të kësaj fushate se “Bashkimi Europian mbështet Shqipërinë në sigurimin e kufijve, si pjesë e detyrimeve për anëtarësim, si dhe për të rritur sigurinë e qytetarëve shqiptarë. Ndalimi i transportit të jashtëligjshëm të parave është shkelje që mund të lidhet me pastrimin e parave dhe krime të tjera”.
Drejtuesja e Zyrës së Këshillit të Europës në Shqipëri, Giulia Re, theksoi se “përpjekjet kundër transportit të jashtëligjshëm të parave, si pjesë e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, kanë nevojë për një qasje të dyanshme, ndaj janë rritur kapacitetet profesionale të oficerëve doganorë si dhe ndërgjegjësimi i udhëtarëve për të deklaruar në kufi shumat që kanë me vete”.
Ndërsa drejtori i doganave të Shqipërisë, Gent Gazheli, vlerësoi mbështetjen e projektit të financuar nga Bashkimi Europian, EU4Focal, për dhurimin e skanerit dhe mjeteve të tjera, si dhe për rritjen e kapaciteteve të oficerëve doganorë.
Mes të tjerave autoriteteve iu sigurua një qen nuhatës i stërvitur për kartëmonedhat si dhe ndihma për njësinë e posaçme shqiptare në përgatitjet e mëtejshme të kësaj fushe.
Pas dyshimeve për veprimtari kriminale jashtë vendit, në dhjetë muajt e parë të këtij viti janë rritur ndjeshëm krahasuar me vite më parë, deri në afro 2 milionë euro, sekuestrimet e parave të padeklaruara në të gjithë pikat kufitare të Shqipërisë me Greqinë, Italinë, si dhe portin detar të Durrësit dhe aeroportin e Tiranës./VOA