Një sasi prej 24 kg e 412 gr lëndë narkotike kanabis sativa është sekuestruar nga Policia Kufitare në Qafë-Thanë, ndërsa janë vënë në pranga tre shtetas të huaj.
Mësohet se në dy raste të ndara janë vënë në pranga dy polakë dhe një zviceran, ndërsa një tjetër person është shpallur në kërkim nga policia. Të arrestuarit janë Jozef Drynda, 23 vjeç dhe babai i tij Mikolaj Drynda, 47 vjeç.
Policia sqaron se si edhe u bë shpallja në kërkim e shtetases S.H, 25 vjeçe të tre banues në Poloni, kjo e fundit si bashkëpunëtore e dyshuar në këtë vepër penale me dy shtetasit e mësipërm, për të cilën për shkak të hetimeve nuk mund të jepen të dhëna të tjera.
Më datë 08.09.2017, shtetasi Jozef Drynda është paraqitur në dalje me automjetin tip “Volkswagen” me targa OKL30821 me të cilin udhëtonte së bashku me babain e tij. Nisur nga dyshimet e shfaqura se në këtë mjet mund të ishte fshehur lëndë narkotike shërbimet e Policisë Kufitare, bënë përzgjedhjen e tij për verifikim në vijën e dytë. Gjatë kontrollit të detajuar përfshi edhe procesin e skanimit të kryer në bashkëpunim me Doganën, konkretisht në pjesën e poshtme të sediljes së pasagjerit, si edhe tek shasia e mjetit poshtë dyshemesë, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale : 69 pako me peshë 24 kg e 400 gram lëndë e dyshuar si narkotike kanabis sativa.
Gjithashtu shërbimet e Policisë Kufitare, kanë konstatuar edhe një rast tjetër, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit zvicerian Gabrijel. L, 28 vjeç. Pasi gjatë kontrollit të detajuar, të ushtruar në vijën e dytë të mjetit të tyre tip “BMË” me targa ZG42268, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 12 gram lëndë narkotike e dyshuar si kanabis sativa.