Telegrafi

Forca të shtuara policore rreth selisë së PD-së

Forca të shumta policie kanë rrethuar në një perimetër të gjerë selinë e Partisë Demokratike në Tiranë.

Siç vërehet nga pamjet e siguruara prej gazetarit të ABC, vetëm në hyrjen e godinës së Parlamentit që është ngjitur me godinën e PD, ndodhën shtatë furgona policie, ndërsa prani e madhe efektivësh vërehet në të gjithë zonën përreth këtij objekti.

Prania e forcave të rendit rreth godinës së PD-së është shtuar gjatë minutave të fundit teksa pritet të përfundojë edhe Kuvendi i thirrur nga Berisha, në të cilin po votohet shkarkimi i Lulzim Bashës.

Pavarësisht numrin të madh të forcave të rendit përreth, situata në selinë e PD-së duket mjaft e qetë.

Më heret delegatët votuan shkarkimin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi si edhe të tre nënkryetarëve Jorida Tabaku, Grida Duma dhe Enkelejd Alibeaj.

Duket se policia i trembet një mbledhjeje të delegatëve të ftuar nga Berishë në godinën e PD pas rezultatit për shkarkimin e Bashës, dëshirë të cilën e kanë shprehur mjaft prej tyre.

Gjatë fjalës së tij sot, Berisha bëri një përshkrim të rrugëtimit të PD-së që nga viti 1991 deri më sote duke iu rikthyer periudhave të vështira siç ishte viti 1997 apo edhe më pas. Ish-kryeministri kërkoi nga amerikanët që të tërhiqnin vendimin për ta shpallur “non grata”, ndryshe ai do të detyrohej të vijonte luftën për t’u rikthyer në pushtet. /abcnews.al/