Policia ka përgatitur një plan masash për mbarëvajtjen e protestës të thirrur nga opozita që pritet të mbahet sot përpara Kuvendit të Shqipërisë në Tiranë.
Shpërndarja e forcave të policisë pritet të bëhet si në protestën e të shtunës, ku një kordon policor do të qëndrojë para protestuesve. Do të jenë punonjësit e rendit dhe ato të “Shqiponjës” që do të formojnë kordonin përreth protestuesve. Pjesa më e madhe këtij kordoni, do vendoset përpara derës së parlamentit.
Ndërkohë që, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë do të ndahen në tre pjesë. Një pjesë do vendosen në bulevardin “Zhan Dark”, pjesa tjetër brenda rrethimit të Xhamisë së Namazgjasë, dhe një pjesë tjetër brenda ambienteve të parlamentit, ku aty pritet të vendosen dhe autobotë me ujë, që në rast përshkallëzimi të bëhet shpërndarja e turmës.
Gjithashtu të pranishëm do jenë edhe Forca speciale të RENEA-s. Mësohet se pranë Parlamentit do të ketë edhe punonjës të Gardës së Republikës, që do vëzhgojnë e parandalojnë protestuesit nëse do të ketë tentativë nga ana e protestuesve për të hyrë në godinë. Të gjithë punonjësit do jenë të pajisur me maska kundra gaz.
Në zonën ku do mbahet protesta nuk do të mungojnë as ambulancat dhe zjarrfikëset, për çdo rast. Policia do marrë masa edhe për bllokimin e rrugëve, ku rreth orës 15:00 do ketë kufizime në qarkullimit në rrugën “Xhorxh Bush” dhe pjesërisht në bulevardin “Zhan Dark”, por edhe një pjesë e rrugës së Elbasanit. Forca policore do ketë edhe në kryeministri, në rast se protestuesit do zhvendosen për aty. /Telegrafi/