Një nga bosët më të kërkuar të drogës në Spanjë, Francisco “Isco” Tejon, është rishfaqur në një video muzikore pas dy vjetësh në arrati, sipas mediave spanjolle.
“Ky është ai, nuk ka dyshim”, ka thënë një zëdhënës i policisë, cituar nga gazeta El Mundo, përcjell Telegrafi.
Siç thuhet më tej, kënga “Candela” nga artisti Clase A u ngarkua në YouTube të martën.
Ajo tregon Tejonin dhe këngëtarin duke dalë nga një makinë luksoze – një Bentley Continental – para se të mbërrinin në një festë, ku ata janë të rrethuar nga shishe me shampanjë dhe femra gjysmë të zhveshura.
Megjithatë, nuk është e qartë se ku ose kur është filmuar videoja.
“Ajo mund të jetë tashmë disa muajshe”, ka thënë zëdhënësi i policisë.
Bëhet e ditur se Tejon, shefi 39-vjeçar i kartelit të drogës Los Castanitas, është kërkuar nga policia që nga fundi i vitit 2016.
Vëllai i tij i ri Antonio, 34 vjeç, u kap në qershor dhe aktualisht po pret një gjyq në një burg të Cordobas.
Vëllezërit Tejon thuhet se kanë grumbulluar një pasuri prej rreth 30 milion euro (35 milionë dollarë).
Sipas policisë, banda kontrollon rreth 70 për qind të tregtisë së marijuanës në provincën jugore spanjolle të Cadizit.
Ata janë kryesisht aktivë në komunitetet e varfra afër Gjibraltarit, e cila ka qenë një bastion i drogës për dekada në sajë të afërsisë me Marokun – një nga prodhuesit më të mëdhenj të marihuanës në botë. /Telegrafi/