Forcat speciale të Policisë në kryeqytetin armen, Jerevan, janë përleshur me mbështetësit e një grupi të armatosur, të cilët kërkonin lirimin e disa të arrestuarve në stacionin policor.
Dhjetëra protestues kanë mbetur të lënduar, ndërsa tre persona të armatosur janë plagosur nga përleshjet e mëparshme.
Ky grup kishte sulmuar ndërtesën edhe para dy jave, duke kërkuar lirimin e të ‘burgosurve politikë’, përfshirë edhe kreun e opozitës, Jirair Sefilian.
Sefilian e kishte kritikuar ashpër presidentin Serge Sarkisian për trajtimin e konfliktit Nagorno-Karabakh.
Policia kishte përdorë gaz lotsjellës dhe shkopinj gome ndaj protestuesve, të cilët brohoritnin “Armenia e pavarur” dhe “Serge, largohu”.
Agjencia e lajmeve Sputnik tha se deri në 60 persona kanë mbetur të plagosur nga trazirat, ndërsa rreth 40 janë duke u trajtuar në spital.
Më shumë se 100 persona janë arrestuar nga Policia, transmeton KosovaPress.