Telegrafi

Policia nuk arrin ta identifikojë personin që ka shtënë me armë nga selia e PDK-së (Video)

Policia e Kosovës ende nuk ka arritur të identifikojë personin që gjuajti me armë nga selia e PDK-së javën e kaluar, ani pse ai është kapur në video duke shtënë në ajër kur Hashim Thaçi u zgjodh President, raporton KTV.

Policia ka thënë për KTV-në se ka intervistuar disa persona, pa mundur të konfirmojë nëse janë marrë në pyetje edhe zyrtarë të PDK-së.

Mbështetur në informacionet që kemi pranuar se në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë, me datën 26.02.2016 ka pasur të shtëna me armë zjarri, policia ka iniciuar një rast me qëllim të ndriçimit dhe hetimit të rrethanave të rastit në fjalë.

Në këtë fazë të hetimeve hyjnë edhe angazhimet për identifikimin e mundshëm të personit.

Nga ana e hetuesve janë ndërmarrë hapat e nevojshëm, kuptohet këqyrja e vendit të ngjarjes dhe intervistimet hyjnë te faza fillestare e hetimit të një rasti.

Armëmbajtja pa leje është vepër penale e sanksionuar me Kodin Penal të Kosovës. Sipas nenit 374, pika 1, armëmbajtja pa leje dënohet me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose burgim deri në 5 vjet.

Kurse përdorimi i armës dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet.