Site icon Telegrafi

Policia nigeriane hap zjarr mbi protestuesit që kundërshtojnë brutalitetin e policisë

Policia nigeriane ka hapur zjarr mbrëmë kundër protestuesve në Lagos, të cilët për të 12 ditën radhazi po demonstrojnë kundër brutalitetit të policisë. Të paktën dy persona besohet të jenë qëlluar dhe nigerianët pohojnë në mediat sociale se të shtënat nuk u ndalën as këtë mëngjes.

Dëshmitarët i thanë reutersit se 20 oficerë policie qëlluan mbi protestuesit në rrethin Lekki të qytetit dhe një video e shfaqur në kanalet e televizionit nigerian duket se dëgjohen zhurma e të shtëna me armë nga vendi i ngjarjes, transmeton Telegrafi.

https://twitter.com/Piousbae012/status/1318884802515394563

Kjo u konfirmua nga Amnesty International, e cila tha se të paktën 20 njerëz u plagosën në të shtënat, duke shtuar se të paktën 15 njerëz janë vrarë që nga fillimi i protestave në Nigeri.

Në rrjetin social Twitter, nigerianët po shpërndajnë video këtë mëngjes në të cilat dëgjohen të shtëna, me pretendimet se policia vazhdon të hap zjarr mbi njerëzit kohë pas kohe.

https://twitter.com/TheVyralTrendz/status/1318866497461157888

Në një përpjekje për t’i dhënë fund protestave, zyrtarët shtetërorë kanë futur vendin në një shtetrrethim 24-orësh për 20 milionë njerëz që jetojnë në Lagos, qytetin më të madh të Afrikës, por demonstrimet kundër forcës së policisë nigeriane SARS, nuk tregojnë shenja të ngadalësimit.

SARS u themelua në vitin 1992 për të luftuar grabitjen, rrëmbimin dhe krime të tjera të dhunshme, por është kritikuar gjerësisht për shkeljet e të drejtave të njeriut duke përfshirë torturat, zhvatjet dhe vrasjet jashtëgjyqësore. Nigerianët madje pretendojnë se oficerët e policisë me rroba civile qëllojnë burra të rinj që kanë tatuazhe ose vetura të shtrenjta.

Nigerianët kanë protestuar kundër sjelljes së tillë për dy javë, duke kërkuar që ky formacion policor të shfuqizohet. /Telegrafi/

Exit mobile version