Site icon Telegrafi

Policia ngre akuza ndaj tifozit që e shqelmoi Aaron Ramsdale në derbin mes Tottenhamit dhe Arsenalit

(Foto: Screenshot/Twitter)

Një burrë është akuzuar për sulm në lidhje me incidentin që përfshin një tifoz të Tottenham Hotspur dhe Aaron Ramsdale, i cili u godit me shkelm në vazhdën e fitores prej 2-0 të Arsenalit kundër Spursave në derbin e Londrës Veriore të dielën.

Pas një paraqitje mbresëlënëse në portë, gardiani i Topçinjve fillimisht pati një debat me Richarlison dhe teksa shkonte prapa portës për të marrë shishen e tij u sulmua nga një tifoz.

Përkrahësi i ekipit vendas në Tottenham Hotspur Stadium është kapur nga kamerat duke e shqelmuar portierin dhe ka ikur drejt tribunave.

“Një burrë është akuzuar për sulm ndaj një lojtari të Arsenalit pas një ndeshjeje në Tottenham Hotspur Stadium të dielën, më 15 janar. Joseph Watts, 35 vjeç (23.06.87) nga Hackney u akuzua të martën, më 17 janar për sulm përmes goditjes, duke shkuar në një zonë ngjitur me zonën e lojës dhe duke hedhur mjete piroteknike në një zonë të lojës së futbollit, të dyja në kundërshtim me Aktin e Futbollit (Kundërvajtjet) të vitit 1991”.

Lexo po ashtu Dalin pamjet nga pjesa e tifozëve kur Ramsdale u shqelmua nga një përkrahës i Tottenhamit

“Ai do të paraqitet në Gjykatën Highbury Magistrates të premten, më 17 shkurt”, thuhet mes tjerash në njoftimin e policisë Metropolitane.

Edhe Federata Angleze e futbollit e dënoi ashpër incidentin pas derbit të Londrës Veriore, duke këmbëngulur se sjellja ishte “krejtësisht e papranueshme”. /Telegrafi/

Lexo po ashtu Jo vetëm me lojtarët dhe tifozët e Tottenhamit, Granit Xhaka u përplas edhe me Antonio Conten
Exit mobile version