Telegrafi

Policia në veri lokalizon mallin e kontrabanduar, nuk arrin ta dërgojë në terminal meqë reziston shoferi e babai i tij?!

Një kamion përplot me pije të kontrabanduara nga Serbia, është lokalizuar mbrëmë rreth orës 22:00 nga policia në veri të Mitrovicës.

Burime të KosovaPressit bëjnë të ditur se Policia nuk po arrin ta dërgojë kamionin në terminalin që ndodhet në jug të qytetit, për shkak të rezistencës së vozitësit të kamionit, Dejan Mihajloviq, i cili është djali i pronarit të një depoje të kësaj veprimtarie në veri të Mitrovicës, Zvezdan Mihajloviq.

“Mihajloviqët kanë kundërshtuar urdhrin e Policisë për ta dërguar mallin në terminal për zhdoganim, duke u përplasur verbalisht me policët, por edhe duke i kërcënuar ata. Zvezdani së bashku me djemtë e tij janë të njohur për Policinë për shkak të kontrabandës me mallra të ndryshme nga Serbia që disa vite”, kanë thënë burimet.

Ndryshe, kamioni vazhdon të qëndrojë i lokalizuar me shirit të policisë, në rrugën ‘Osllobogjenje’ në veri të qytetit, derisa po bëhen përpjekje mes policisë dhe anëtarëve të familjes Mihajloviq, për ta dërguar kamionin në terminal. /KP/