Specialistët e Komisariatit të Policisë në Tiranë, arrestuan në flagrancë shtetasin, Xhoni Hitaj, 21 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e policisë pas informacioneve të marra, se në rrugën “Nuçi Naçi”, rreth orës 00:30, shtetasit I. F. ,S. F. dhe E. C., janë konfliktuar dhe kanosur nga Xhoni Hitaj dhe një person tjetër, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë ku kishte ndodhur konflikti.
Falë veprimeve të shpejta profesionale u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i armës që shtetasi i arrestuar së bashku me shtetasin tjetër në kërkim kishin kërcënuar tre shtetasit e mësipërm gjatë konfliktit.
Arma pistoletë e tipit “SIGSAUER P226”, 9mm dhe një krehër me 10 fishekë u gjetën të fshehura në një pallat pranë vendit të ngjarjes, në një kuti matësi uji në katin e tretë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqesor Tiranë , për veprat penale “Kanosje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, parashikuara nga nenet 84 dhe 278 të Kodit Penal.