Telegrafi

Policia në Shqipëri intensifikon monitorimin e rrugëve për të parandaluar aksidentet dhe lehtësuar qarkullimin gjatë sezonit turistik

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se kanë intensifikuar monitorimin e akseve rrugore në qarkun Shkodër me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, si dhe për të lehtësuar qarkullimin gjatë sezonit turistik.

Në njoftimin për media thuhet se monitorimi nëpërmjet dronëve të cilësisë së lartë dhe mjeteve të tjera inteligjente që tashmë ka në dispozicion Policia Rrugore e Shkodrës.

Si rezultat i kontrolleve, gjatë një jave janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative: 124 drejtues automjetesh për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara; 80 drejtues automjetesh për parakalim të gabuar; 85 drejtues automjetesh për mosvendosje të rripit të sigurimit; 78 drejtues moto-mjetesh për mosvendosje të kaskës mbrojtëse dhe 660 drejtues mjetesh për pushim mjeti, në kundërshtim me sinjalistikën rrugore.

Policia e Rrugore e Shkodrës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të moderojnë shpejtësinë, të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara. /Telegrafi/