Policia Gjyqësore e Portugalisë (PJ) ka “çmontuar” atë që tha se ishte laboratori “më i madh” industrial i nxjerrjes, përpunimit dhe paketimit të kokainës në Evropë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për një operacion në perëndim të Portugalisë (nuk jepet vendndodhja) – duke arrestuar shtatë persona dhe sekuestruar rreth 1500 kilogramë kokainë.
Në një deklaratë, PJ tha se ‘Operacioni Pacoba’ shkatërroi një grup kriminal shumë të organizuar të dedikuar për të sjellë sasi të mëdha kokaine në kontinentin evropian.
“Rezultati përfundimtar i operacionit ‘Pacoba’ ishte arrestimi i shtatë të dyshuarve (katër portugez, dy kolumbianë dhe një maroken), sekuestrimi i 1,478.5 kg kokainë, tre armë zjarri, sasi të mëdha parash, disa automjete të lehta dhe të rënda të laboratorit”, thuhet në deklaratë.
Të arrestuarit, nga mosha 29 deri në 56 vjeç, do të përballen fillimisht me marrjen në pyetje në gjykatë përpara se të vendoset lirimi me kusht.
Sipas PJ-së, hetimi filloi pas një shkëmbimi informacioni në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, dhe në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me autoritetet policore dhe gjyqësore të Kolumbisë (Policia Kombëtare), Spanja (Policia Kombëtare) dhe SHBA (DEA, HSI dhe CBP).
Më pas, në maj të këtij viti, Njësia Kombëtare e PJ për Luftën kundër Trafikut të Drogës kapi 986 kg kokainë që transportohej në një kontejner transporti nga Kolumbia që kishte hyrë në Portugali përmes portit të Setúbal.
Sipas PJ-së, rreth 20 ton banane po transportoheshin në kontejner dhe droga ishte fshehur në fund të kutive të kartonit në të cilat ishte paketuar frutat. /Telegrafi/