Telegrafi

Shkak protestat e mbrojtësve të ambientit, Policia në Londër nuk po mund të merret me “kriminelët” tjerë, kërkon forca shtesë

Njësitet policore në Londër, pranojnë se nuk po gjejnë kohë të merren me viktimat e vërteta të krimit, sepse po humbin shumë kohë duke arrestuar mbrojtësit e ambientit, që protestojnë në grupe, ushqejnë me gji fëmijët në mes të rrugës, apo shkaktojnë pengesa të ndryshme duke tundur oktapodë gjigantë.

Qeveria ka ndërmarrë sot hapin e jashtëzakonshëm, duke kërkuar ndihmën e 500 oficerëve nga 43 njësi të tjera nga Anglia dhe Wales, që të mbrojnë rendin dhe t’i mbajnë nën kontroll protestuesit e njohur si “Extinction Rebellion”, që kanë krijuar shumë tollovi në qendër të kryeqytetit, transmeton Telegrafi.

Ky veprim do t’ju shkaktojë shumë probleme njësiteve policore të qyteteve më të vogla, oficerët e të cilëve duhet të qëndrojnë në kryeqytet, ku protestuesit planifikojnë të zhvillojnë një protestë dy javore, ku pritet të ‘ndalojnë gjithçka’, derisa në shënjestër kanë monumentet kryesore, ndërtesat qeveritare dhe aeroportet.

Zëvendës ndihmës komisionari i policisë, Laurence Taylor ka thënë se me këtë intervenim, ka pasur një ndikim të madh në zonat më të largëta të kryeqytetit. “Nuk po mund të kalojmë kohën e duhur, me viktimat që vërtetë janë prekur nga krimi dhe të arrijmë t’i ndalojmë keqbërësit, sepse duhemi të merremi me protestat që nuk po ndalojnë” ka thënë Taylor.

Më shumë se 600 protestues janë arrestuar, por vendet e paligjshme në Whitehall dhe Horseferry Road mbeten të mbyllura, derisa policia po kalon orë të tëra duke shpërndarë demonstruesit, pa iu shkaktuar ndonjë lëndim, në mënyrë që t’ju pamundësojnë të kërkojnë kompensim. /Telegrafi/