Policia Kufitare në Shqipëri godet një tjetër rast të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Shërbimet e Policisë së Kapshticës, në bashkëpunim me Doganën që mbikëqyr skanerin dhe specialistët e Seksionit kundër Narkotikëve të DVP- Korçë, sekuestruan 92 kg kanabis në një kamion, ndërsa u arrestuan dhe dy poseduesit e drogës.
Të arrestuarit janë: Artur Yzeiri, 51 vjeç, nga fshati Ravonik dhe Astrit Haxhi, 55 vjeç, nga Korça.
Policia thotë se “arrestimi i tyre u bë pasi, gjatë kontrollit me qen antidrogë në vijën e dytë në dalje, ku mjeti tip kamion i markës “Scania” me targa AA630 KO, u përzgjodh për kontroll të detajuar , u krijuan dyshime se në pjesën e serbatorit të mjetit, ishte fshehur lëndë e dyshuar narkotike”.
Kontrolli më pas, ka vijuar edhe me procesin e skanimit të kryer nga Dogana, ku në një vend të përshtatur, pikërisht tek pjesa e serbatorit u evidentuan 18 pako të mbështjella me letër natriban, me peshë 92 Kg lëndë narkotike të dyshuar si “Cannabis Sattiva”, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Kamioni drejtohej nga shtetasi Artur Yzeiri, ndërsa Astrit Haxhi pasagjer.
Materialet për hetime të mëtejshme, i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Krimeve të Rënda në Tiranë, për veprën penale: “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim”. /Telegrafi/