Me qëllim të parandalimit të aksidenteve në komunikacion, Policia Rajonale në Ferizaj ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh. Vetëm gjatë javës së kaluar, janë shqiptuar gjithsejtë një mijë e 182 gjoba kundërvajtëse si dhe janë pezulluar gjithsejtë 17 patentë-shoferë për drejtuesit e mjeteve që kanë kryer shkelje të rënda në trafik.
Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Ferizajt, nëpërmjet një njoftimi ka sqaruar se gjatë javës së kaluar janë regjistruar gjithsej 25 aksidente, nga të cilat: 7 aksidente me lëndime, ku kanë mbetur të lënduar 13 persona, ndërkaq 18 aksidente me dëme material.
“Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara për të parandaluar aksidentet dhe apelon tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat e trafikut. Ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë dhe të raportojnë çdo kundërvajtje në trafik përmes stacionit më të afërt policor, përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” dhe në numrat e urgjencës: 192, 0290/326-250 & 0290/322-406. Të dhënat e raportuara do të trajtohen me konfidencialitet të plotë”, ka thenë Veseli./Telegrafi/