Komandanti i Njësisë së Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, Kapiteni Brahim Shatrolli, së bashku me stafin e tij, gjatë ditës ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e kompanive të sigurimeve në Komunën e Ferizajt. Takimi kishte për qëllim që Policia të njoftohet lidhur me sigurinë rrugore dhe trajtimin e rasteve të aksidenteve.
“Në fokus të diskutimeve ishte përdorimi i Raportit Evropian të Aksidenteve, si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e procedurave të trajtimit të dëmeve dhe shmangien e vonesave në procesin e kompensimit të palëve të përfshira. Gjatë takimit, përfaqësuesit e sigurimeve dhe Njësia e Komunikacionit Rrugor theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit për të rritur sigurinë në trafik dhe për të përmirësuar efikasitetin e trajtimit të rasteve të aksidenteve”, thuhet në komunikatën e Policisë në Ferizaj.
Sipas komunikatës, në përfundim, palët shprehën gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin dhe për të zbatuar masa konkrete që do të lehtësojnë dhe përmirësojnë proceset për qytetarët dhe institucionet përkatëse./Telegrafi/